Për herë të parë titullar krah Modric-it, Jashari: Do të përpiqem të tregoj cilësitë e mia
Mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, ka folur para ndeshjes së kampionatit kundër Como-s, e vlefshme për javën e 24-t të Serie A. Lojtari kuqezi u shpreh i motivuar për sfidën në shtëpi dhe veçanërisht për faktin se do të luajë për herë të parë si titullar përkrah Luka Modrić-it.
“Është një ndeshje e bukur për t’u luajtur. Ata janë një skuadër e mirë dhe ne mezi presim të zbresim në fushë”, deklaroi Jashari, duke vlerësuar kundërshtarin dhe rëndësinë e përqendrimit maksimal.
Mesfushori u ndal edhe te bashkëpunimi me Modrić-in, një nga lojtarët më me përvojë në qarkullim. “Është hera e parë që luaj nga minuta e parë pranë tij. Ai është një lojtar fantastik. Do të përpiqem të vendos në fushë cilësitë e mia dhe do të duhet të përshtatemi me rrjedhën e ndeshjes”, shtoi ai.
Për Jasharin, kjo sfidë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të treguar vlerat e tij në një ndeshje zyrtare si titullar. Milani synon të shfrytëzojë faktorin fushë për të marrë tri pikë të rëndësishme në garën e kampionatit, ndërsa vëmendja do të jetë edhe te paraqitja e mesfushorit të ri përkrah Modrić-it.