Bodø/Glimt-Inter, rikthime të rëndësishme në formacionin titullar zikaltër
Inter kthen vëmendjen te Europa dhe përballet në Norvegji me Bodø/Glimt në ndeshjen e parë të playoff-it të Ligës së Kampionëve. Zikaltrit synojnë të lënë pas polemikat e fundit dhe të marrin një rezultat pozitiv në transfertë, përpara sfidës së kthimit që do të zhvillohet pas një jave në stadiumin “San Siro”.
Takimi luhet në fushën sintetike të ‘Aspmyra Stadion’, një stadium ku këtë sezon ka pësuar humbje edhe Manchester City gjatë fazës së kampionatit. Ndeshja nis në orën 21:00 dhe do të drejtohet nga arbitri gjerman, Daniel Siebert.
Tek Interi rikthehen në formacion Francesco Acerbi dhe Matteo Darmian, ndërsa trajneri u ka dhënë pushim Marcus Thuram dhe Piotr Zieliński, duke bërë disa rotacione në prag të një kalendari të ngjeshur. Zgjedhjet teknike synojnë të balancojnë freskinë fizike me eksperiencën, në një transfertë që pritet të jetë e vështirë për italianët.