Beqiri, para sfidës me Samsunsporin: Ta shijojmë ndeshjen dhe të japim maksimumin
Pas startit perfekt të sezonit në kampionatin vendor me dy fitore ndaj Strugës (2-0) dhe Tikveshit (4-1), Shkëndija tashmë e ka fokusin te sfida evropiane kundër Samsunspor-it, në fazën play-off të UEFA Conference League. Ndeshja e parë do të zhvillohet të enjten, në arenën ‘Arena Todor Proeski’, në Shkup, me fillim në orën 21:00.
Trajneri Jeton Beqiri theksoi se ndryshimi i fundit i trajnerit te kundërshtari e bën përgatitjen më të vështirë: “Është vështirësuar puna për ne, sepse ndryshimet te kundërshtari janë të paparashikueshme. Ne i kemi ndjekur ndeshjet e tyre dhe do të analizojmë edhe stilin e trajnerit. E rëndësishme është që ta shijojmë këtë ndeshje dhe të japim maksimumin, duke respektuar kundërshtarin, të cilit i takon roli i favoritit.”
Kapiteni Besart Ibraimi foli për atmosferën pozitive në skuadër: “Kemi një atmosferë shumë të mirë dhe vijmë pas dy fitoreve. Jemi përgatitur për një sfidë të vështirë dhe shpresojmë në përkrahje sa më të madhe nga tifozët, sepse ata janë forca jonë kryesore.”
Beqiri vlerësoi lart kundërshtarin, duke theksuar se ndeshja e kthimit mund të jetë vendimtare: “Samsunspori është një nga skuadrat më të forta me të cilat jemi përballur. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në minutat e para, të luftojmë në çdo pjesë të fushës dhe në momente të caktuara të jemi ofensivë. Pres një spektakël futbolli dhe kërkoj nga ekipi të qëndrojë me këmbë në tokë, krenar dhe pa u dorëzuar.”
Ibraimi shtoi se skuadra është gati të synojë më shumë: “Ëndrra jonë është realizuar, por gjithmonë duam më shumë. Do të japim më të mirën dhe besojmë në një rezultat pozitiv.”