A do t'u jepet e drejta e votës emigrantëve të ligjshëm të Spanjës?

Vendimi kontrovers i qeverisë spanjolle për të miratuar një dekret që do të legalizojë 500,000 migrantë dhe azilkërkues pa dokumente, ka ngjallur debate në të gjithë Evropën.

Krahas kritikave dhe analizave më të matura, ka dalë në sipërfaqe një valë pretendimesh mashtruese.

Disa postime të shpërndara gjerësisht në X, të cilat kanë grumbulluar miliona shikime dhe mijëra shpërndarje, pretendojnë se këtyre migrantëve të sapo legalizuar do t'u jepet automatikisht e drejta për të votuar.

Të tjerë thonë se do të futen në një rrugë të shpejtë për marrjen e shtetësisë, duke u lejuar atyre të votojnë dhe, nga ana tjetër, duke krijuar një "bllok votuesish besnikë" për kryeministrin Pedro Sánchez dhe qeverinë e tij të krahut të majtë.

Kur shikon rregullat e imigracionit, natyralizimit dhe votimit në Spanjë, ka pak të vërteta në këto pretendime.

Çfarë përmban dekreti dhe a është i ri?

Dekreti, që pritet të hyjë në fuqi në prill, zbatohet për të paktën 500,000 migrantë dhe azilkërkues pa dokumente që jetojnë aktualisht në Spanjë.

Aplikantët për legalizim duhet të vërtetojnë se nuk kanë precedentë penalë dhe se kanë jetuar në Spanjë për të paktën pesë muaj ose kanë kërkuar azil deri në fund të dhjetorit 2025.

Nuk është hera e parë që Spanja ka legalizuar emigrantë të shumtë: Komisioni Spanjoll për Ndihmën e Refugjatëve (CEAR), tha se ky është procesi i shtatë i ngjashëm që nga viti 1986.

Dekreti u siguron përfituesve një leje qëndrimi njëvjeçare dhe të drejtën për të punuar në Spanjë.

Qeveria e Sánchez ka thënë se ky veprim do të forcojë tregun e punës në Spanjë. Ministrja spanjolle e përfshirjes, sigurimeve shoqërore dhe migracionit, Elma Saiz, e quajti atë një "model migrator të bazuar në të drejtat e njeriut, integrimin, bashkëjetesën dhe që është i pajtueshëm me rritjen ekonomike dhe kohezionin social".

Masa ka shkaktuar po aq zemërim nga Partia Popullore konservatore (PP) dhe nga partia e ekstremit të djathtë Vox. Udhëheqësi i PP-së akuzoi Sanchezin se po përpiqet të largojë vëmendjen nga reagimi i qeverisë ndaj aksidenteve të shumta vdekjeprurëse hekurudhore gjatë muajit të kaluar.

Kush mund të votojë në Spanjë?

Rregullat e votimit në Spanjë janë të përcaktuara qartë.

Sipas ministrisë së brendshme spanjolle, vetëm qytetarët spanjollë në moshë madhore (aktualisht 18 vjeç) kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet kombëtare dhe zgjedhjet në komunitetet autonome të Spanjës. Në zgjedhjet evropiane, qytetarët e BE-së që banojnë në Spanjë gjithashtu mund të votojnë.

Në zgjedhjet lokale bashkiake, të drejtat e votës janë më të kufizuara. Shtetasit jo-BE mund të votojnë vetëm nëse Spanja ka një marrëveshje reciproke votimi me vendin e tyre të shtetësisë. Kjo vlen aktualisht për shtetasit e 13 vendeve, përfshirë Islandën, Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, me kusht që ata të plotësojnë edhe kërkesat e rezidencës (të cilat mund të ndryshojnë në varësi të vendit).

Ndryshe nga pretendimet në internet, thjesht mbajtja e qëndrimit të ligjshëm në Spanjë nuk jep të drejtën për të votuar në zgjedhjet kombëtare.

A çon legalizimi në shtetësi të shpejtë?

Një tjetër pretendim që qarkullon në postimet virale, sugjeron se migrantët e ligjshëm mund të fitojnë shtetësinë spanjolle brenda vetëm dy vjetësh. Por kjo është mashtruese.

Sipas ligjit spanjoll, vetëm qytetarët e vendeve të caktuara, përkatësisht Portugalia, Filipinet, Andorra, Guinea Ekuatoriale dhe shumica e vendeve të Amerikës Latine, si dhe ata me origjinë sefardike, mund të aplikojnë për shtetësi spanjolle pas dy vitesh qëndrimi të ligjshëm dhe të vazhdueshëm.

Megjithatë, për shumicën dërrmuese të njerëzve nga vende të tjera, kjo zgjat shumë më tepër: shumica e emigrantëve në Spanjë duhet të jetojnë atje ligjërisht për 10 vjet për të qenë në gjendje të aplikojnë për shtetësi, por kjo është shkurtuar në pesë vjet për refugjatët dhe mund të shkurtohet edhe më tej në një vit, nëse individi ka lindur në Spanjë ose është martuar me një shtetase spanjolle.

Pavarësisht afatit kohor, periudha e qëndrimit është vetëm fillimi i procesit. Vetë dekreti jep një vit qëndrim të ligjshëm, që do të thotë se nuk do të ishte e mjaftueshme që shumica e njerëzve të fitonin shtetësinë në atë afat kohor.

Aplikantët duhet të kalojnë ende testet e gjuhës spanjolle dhe teste të tjera, si dhe të presin për përpunimin, i cili mund të zgjasë disa vite.

Si përfundim, shtysa e re e legalizimit e Spanjës u jep migrantëve qëndrim të ligjshëm, jo ​​shtetësi, dhe nuk u jep të drejtë vote në zgjedhje.

Këto të drejta janë ligjërisht të dallueshme në Spanjë dhe mbeten të pandryshuara me këtë dekret të ri./ Euronews.