I shpallur në kërkim nga Greqia prej 13 vitesh për vrasje, shqiptari kapet në aeroportin e Riminit

Një 47-vjeçar shqiptar që ishte në kërkim prej 13 vitesh nga Greqia, është kapur sapo vuri këmbën në aeroportin e Riminit në Itali.

Autoritetet thanë se arratisja e tij përfundoi pasditen e 17 shkurtit, në aeroportin e ‘Rimini Fellini’, kur policia e gjurmoi sapo zbriti nga avioni që mbërrinte nga Shqipëria.

47-vjeçari shqiptar ishte subjekt i një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga autoritetet gjyqësore greke, për një vrasje dhe tentativë vrasjeje të kryer në vitin 2012 – duke përdorur një armë zjarri, ngjarje e ndodhur në Agios Panteleimon, një vendpushim bregdetar popullor në Greqinë lindore, jo shumë larg Athinës.

Pas vrasjes së një bashkëatdhetari të tij dhe plagosjes së rëndë të një tjetri, 47-vjeçari u zhduk midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Falë përpjekjeve hetimore të policisë kufitare të Riminit, i kërkuari u kap pasi fluturimi i tij nga Tirana zbarkoi në Rimini. Shkëmbimi i informacionit midis departamentit të policisë “Sirene”, Policisë së Shtetit dhe forcave policore greke ishte thelbësor.

 “Oficerët e policisë kufitare të Riminit, tashmë në gatishmëri në orët para uljes së fluturimit nga Tirana, pritën avionin në pistë. Sapo pasagjeri kaloi kontrollin e dokumenteve (ai po udhëtonte me një pasaportë të vlefshme), ai u ndalua. Burri nuk bëri rezistencë dhe u dërgua në zyrat e Policisë Kufitare për procedurat e identifikimit dhe më pas u transferua në burgun e Riminit , në pritje të një seance dëgjimore para Gjykatës së Apelit të Bolonjës, e cila ka juridiksion mbi ekstradimin”, raportojnë mediat italiane.

Procesi procedural tani kërkon që autoritetet greke të formalizojnë kërkesën për dorëzim, për qëllime ekstradimi. Në ditët në vijim, gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Bolonjës do të vlerësojnë nëse plotësohen kushtet.