Rrëshqitjet e dheut në Delvinë i shkatërrojnë banesën çiftit të moshuar, rrezikohet Teqeja dhe banesa të tjera
Pas rrëshqitjeve masive të dheut situata në lagjen Beqirefend në Delvinë paraqitet tejet e rënduar. Si pasojë e lëvizjes së dheut dhe rrëzimit të një qiparisi 500-vjeçar mbi çatinë e shtëpisë së tyre, banesa e bashkëshortëve Ibrahim dhe Vera Shehu është pothuajse e shkatërruar, duke i detyruar ata të largohen.
Dy të moshuarit rrëfejnë me dhimbje momentet e tmerrit që përjetuan dhe apelojnë për ndihmë. Ata thonë se deri tani nga Bashkia e Delvinës kanë marrë vetëm mbështetje me fuqi punëtore për largimin e pemës së rrëzuar dhe sistemimin e përkohshëm të situatës, ndërsa për çështjen e strehimit nuk u është ofruar ende asnjë zgjidhje. Për këtë arsye, ata janë detyruar të strehohen tek të afërmit.
Situata mbetet shqetësuese edhe për zonën përreth. Kodra ka pësuar çarje të thella, duke rrezikuar dy banesa të tjera si edhe Teqenë e lagjes. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe masa konkrete për stabilizimin e terrenit, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të gjendjes, veçanërisht duke pasur parasysh se reshjet e shiut vijojnë ende.