Zyrtari i lartë i BE-së lëshon ‘bombën’ nga Tirana: Çështja Balluku, test kritik për Shqipërinë

Gjatë konferencës për shtyp në Tiranë, Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister e ka cilësuar skandalin e korrupsionit ku është përfshirë Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku si një “test kritik” për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit.

I pyetur nga gazetarët se si do të reagonte një vend si Gjermania nëse një ministër do të akuzohej për korrupsion dhe do të mbrohej nga kancelari, zyrtari europian, ndonëse u shpreh se nuk mund të komentonte raste individuale në detaje, dha një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë.

"Ajo që mund të them është se rasti që përfshin zëvendëskryeministren Balluku është një test kritik për Shqipërinë për të adresuar korrupsionin," deklaroi ai.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur debati publik është i ndezur rreth aferës së inceneratorëve dhe mbrojtjes politike që Kryeministri Edi Rama i ka ofruar ministres së tij.

Gazetarët insistuan me pyetje nëse refuzimi për t'i hapur rrugë drejtësisë për Ballukun rrezikon procesin e integrimit të vendit në BE.

Në përgjigjen e tij, zyrtari mbeti diplomatik, por theksoi se çështja “duhet hetuar plotësisht”.

Ai shtoi se nuk do të komentonte mbi diskutimet e brendshme politike në Tiranë, por konfirmoi se çështja ishte adresuar në bisedat e brendshme të delegacionit.

Përballë pyetjeve mbi standardet e dyfishta të supozuara të BE-së, e cila duket se toleron në Shqipëri veprime që nuk do t'i pranonte në vendet anëtare, siç është krijimi i ligjeve speciale për të mbrojtur qeverinë, zyrtari theksoi se rruga përpara kërkon “punë të vështirë”.

"Forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore," tha ai, duke siguruar se BE-ja jo vetëm vëzhgon, por edhe mbështet aktivisht institucionet e pavarura në Shqipëri. "Ne jemi në anën e qytetarëve dhe në anën e këtij vendi për të përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për t'u bërë anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian," përfundoi ai.