GJK lë në fuqi dënimin me burg përjetë për Arben Frrokun, por do shqyrtojë nëse i janë shkelur të drejtat

Gjykata Kushtetuese, ka pranuar pjesërisht ankimin e Arben Frrokut duke vendosur të rihapet procesin po në Kushtetuese. Me këtë gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e mëparshëm të të njëjtës Gjykatë të marrë në vitin 2018, ku ishte vendosur të mos i pranohej kërkesa Arben Frrokut.

Megjithatë nuk janë pranuar kërkesat e tjera për shpalljen të pavlefshme të dënimit të tij. Tashmë në Kushtetuese do të shqyrtohet nëse në procesin ndaj tij janë kryer shkelje apo jo.

I dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, biznesmeni Arben Frroku kërkon shqyrtim të dosjes në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se i janë shkelur të drejtat.

Arben Frroku kishte kërkuar rihapje të procesit gjyqësor dhe shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve nr. 73, datë 29.06.2015 te ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Renda, nr. 443, ditë 08.06.2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Me datë 8 qershori 2017 Gjykata e Lartë, në Dhomë Këshillimi refuzoi të kalonte dosjen për shqyrtim duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Arben Frroku është dënuar si autor i vrasjes së komisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt 2013.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Arben Frroku u shpall i pafajshëm më 3 prill 2015, por ai u dënua në Apel më 29 qershor 2015.

Frroku u arrestua  në Hollandë në prill 2016 pasi u identifikua nga gjurmët e gishtave. Ai jetonte me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa” dhe prokuroria filloi procedurat për ekstradimin e tij.