Fermeri nga Elbasani: Investova mbi 19 dynym sera, por çmimet nuk mbulojnë as shpenzimet

Pandeli Hysa, fermer nga fshati Bujqes i bashkisë së Elbasanit, prej më shumë se 10 vitesh ka përqendruar të ardhurat e tij në sektorin e bujqësisë, duke kultivuar produkte të ndryshme bujqësore në 19 dynym sera. Megjithatë, sfidat e shumta dhe mungesa e ndihmës nga shteti e kanë bërë jetën e fermerit jashtëzakonisht të vështirë.

Ai tregon për Syri TV se prodhimi dhe tregu i lakrës këtë sezon kanë qenë shumë të dobët, ku çmimi i shitjes nuk ka kaluar 20 lekë të reja për kilogram, një nivel që nuk mbulon as shpenzimet për kultivimin e produktit, përfshirë edhe krahun e punës.

“Problemi më i madh nuk është vetëm mungesa e subvencioneve, të cilat vijnë me vonesë, por edhe përgjysmimi i tyre në 200 mijë lekë për dynym. Vetëm për kultivimin e lakrës deri në fazën e shitjes kemi hedhur rreth 15 milionë lekë, të cilat nuk arrijmë t’i nxjerrim nga tregu për shkak të çmimit të ulët,” shprehet Hysa.

Fermeri thekson se mungesa e krahut të punës dhe pagat e larta deri në 30 mijë lekë dita për punëtor e detyrojnë të fusë të gjithë familjen në punë.

Madje, shton ai, nafta që shteti u jep fermerëve nuk mjafton për të punuar edhe me një frezë dore.

Situata aktuale, sipas Hysës, ka bërë që shumë fermerë të jenë drejt falimentimit, duke u penduar që kanë investuar kaq shumë në bujqësi.

Ai bën thirrje institucioneve që të kthejnë premtimet në vepra konkrete dhe të dëgjojnë zërin e fermerëve, jo vetëm të pushtetarëve:

“Me subvencionet dhe aksizat që marrim, nuk ia vlen të punosh në bujqësi. Nëse situata vazhdon kështu, brenda dy vitesh shumë fermerë do të jenë falimentuar,” paralajmëron Pandeli Hysa.