UEFA hap hetim zyrtar pas incidentit racist në Benfica-Real Madrid

UEFA ka nisur procedurat zyrtare pas incidentit të dyshuar racist që ndodhi të martën mbrëma gjatë ndeshjes së Liga e Kampionëve mes Benfica dhe Real Madrid.

Sipas raportimeve të “Sky Sports”, organi drejtues i futbollit evropian po shqyrton ngjarjet e ndodhura në stadiumin Estádio da Luz.

Incidenti lidhet me ankesën e Vinícius Júnior, i cili raportoi te gjyqtari François Letexier një fyerje të dyshuar raciste nga futbollisti i Benficës, Gianluca Prestianni, menjëherë pas golit të shënuar në minutën e 49-të.

UEFA publikoi një deklaratë të shkurtër ku konfirmoi se raportet zyrtare të ndeshjes janë në shqyrtim.

Sipas saj, sa herë raportohen incidente të tilla, nisin procedurat përkatëse dhe çdo sanksion i mundshëm disiplinor do të publikohet në kanalet zyrtare të organizatës. Për momentin, nuk janë dhënë detaje të tjera.

Pas ankesës së Viniciusit u aktivizua protokolli anti-racizëm i UEFA-s, duke shkaktuar një ndërprerje rreth tetëminutëshe të ndeshjes, gjatë së cilës u analizuan pamjet. Hetimi pritet të sqarojë rrethanat e plota të incidentit.