Mesazhi i fortë i JD Vance: Aleatët tanë po sabotojnë veten, nuk është faji i SHBA

Nga Marcel Auermann, BILD

Fjalë të forta nga Uashingtoni!

Në mes të debatit të zjarrtë për një distancim të mundshëm mes SHBA-ve dhe Evropës, Zëvendës Presidenti amerikan JD Vance (41 vjeç) hidhet në ofensivë frontale – dhe nuk i sheh fajin tek Amerika. “Nuk është se ne nuk i respektojmë aleatët tanë. Përkundrazi, ata shpesh sabotojnë veten”, shpërthen Vance në një intervistë për televizionin konservator “Fox News”. Një mesazh i qartë për partnerët përtej Atlantikut!

Ai thekson se qeveria amerikane dëshiron një Evropë të fortë. Por duket se pas skenave ziejnë hallet. Vance sqaron: nuk është se SHBA-të nuk e “pëlqejnë” Evropën. Por: pa presion nga Uashingtoni – sidomos nga presidenti Donald Trump – sipas tij, pak gjëra do të kishin ndodhur. Vetëm qeveria e Trump i ka detyruar partnerët e NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të investojnë më shumë në sigurinë kufitare kundër emigracionit ilegal.

“Pra, kemi bërë përparime të mëdha, por, sinqerisht, dëshirojmë shumë më tepër nga aleatët tanë evropianë”, kërkon Vance pa dorashka.

Pse gjithë kjo zhurmë? Një rikujtim: vitin e kaluar, zëvendës-presidenti amerikan mbajti një fjalim që shqetësoi shumë aleatë evropianë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke u ankuar për gjendjen e demokracisë në Evropë dhe duke kritikuar mungesën e lirisë së shprehjes dhe përjashtimin e opozitës. Gjatë konferencës, ai madje u takua në mënyrë demonstrative me kryetaren e AfD-së, Alice Weidel.

Për paraqitjen e këtij viti të Rubios, kancelari gjerman, Friedrich Merz, ishte jo pak i habitur – sidomos nga duartrokitjet në këmbë. “Nuk isha në sallë, dhe, edhe sikur të isha, do të e kisha të vështirë të ngrihesha”, tha Merz.

Fjalimi ishte një version më i butë i Trump. “Nuk është aq konfrontues sa Vance vitin e kaluar. Por kjo është pikëpamja e administratës amerikane aktuale, dhe në këtë aspekt Marco Rubio nuk ndryshon shumë”, shpjegoi Merz.

Edhe politikisht brenda vendit, SHBA-të janë në tension.

Në SHBA, spekulohet prej kohësh: A po fillon një garë pushteti për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028? Thuhet mes JD Vance dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

Vance e përjashton këtë dhe duket i irrituar nga titujt: “Më duket kaq interesante që mediat duan të krijojnë një konflikt ku thjesht nuk ekziston”, thotë ai në “Fox News”.

As ai dhe as Rubio nuk kanë shpallur zyrtarisht kandidaturën – por të dy konsiderohen në mediat amerikane si favoritët për periudhën pas Trump.

Vance shfaqet si shtetar: ai kërkoi votën për postin që mban tani dhe dëshiron ta ushtrojë sa më mirë. “Për detyrën tjetër do të mendojmë në të ardhmen”, thotë Vance.

Zgjedhjet e 2028-ës janë ende rreth dy vjet larg, por në Amerikë fushata zakonisht fillon herët. Presidenti Donald Trump duket i qetë. Ai thotë se nuk ka pse të shqetësohet për atë që do ta zëvendësojë. Si Vance, ashtu edhe Rubio janë “fantastikë”.

Rubio kishte bërë të qartë në revistën “Vanity Fair” në dhjetor: Nëse Vance kandidon, “ai do të jetë kandidati ynë, dhe unë do të jem një nga të parët që e mbështes”.

Vance nuk ka lënë shumë dyshime se e sheh veten si një kandidat kryesor. Trump e ka quajtur tashmë “pasardhësin më të mundshëm” brenda kampit MAGA (“Make America Great Again”).

Dhe Trump vetë? Zyrtarisht sipas Kushtetutës nuk mund të kandidojë përsëri. Por, siç ndodh shpesh, lë një derë të hapur. Ai thotë se “do të donte ta bënte” përsëri.