'Shantazhim nga 'VIP-at e shtetit', banori i Lezhës: Denoncova mungesën e energjisë dhe më kërcënuan

Gëzim Vorfi, banues në fshatin Barbullonjë në Lezhë përmes një lidhje telefonike për 'Kafe Shqeto'  ka denoncuar publikisht kalvarin e tij me mungesën e energjisë elektrike dhe tensionin e ulët, i cili i djeg pajisjet elektroshtëpiake.

Por përtej problemit teknik, ai ngre akuza të rënda, pasi tha se po shantazhohet nga "VIP-at e shtetit" dhe zyrtarë të pushtetit qendror e lokal, vetëm sepse ka guxuar të ankohet.

Vorfi shpjegoi se tensioni në banesën e tij arrin vetëm 70-80 volt, një nivel që i ka shkatërruar vazhdimisht pajisjet. Kjo situatë e ka detyruar atë që të paktën një herë në vit të ndërrojë vetë të gjitha instalimet elektrike të shtëpisë.

Ai tregon se kërkesat dhe ankesat e tij drejtuar institucioneve përgjegjëse kanë rënë në vesh të shurdhër. Rrëfimi bëhet edhe më dramatik kur qytetari tregon se ka vendosur të mos dalë më në kamera për shkak të shantazheve që i janë bërë në rrjetet sociale, si TikTok.

Ai akuzon drejtpërdrejt "VIP-at e institucioneve të shtetit" si personat që fshihen pas këtyre presioneve, me qëllim që të mos ankohet më për situatën e energjisë.

Sipas tij, kushdo që kërkon të drejtën në Shqipëri, përballet me shantazh dhe diskriminim.

Problemi duket se është kolektiv, por frika i mban banorët të heshtur. 

Deklarata e plotë:

Banori: Nuk ma pranojnë kërkesa, kam bërë ankesa, s'ma pranuan as këtë. Dhe unë një herë në vit i ndërroj instalimet e dritave.

Flavio: Një herë në vit i bëni instalimet e shtëpisë tuaj vetë?

Banori: Komplet. Komplet. Edhe tani para dy ditësh

Flavio: Po pse?

Banori: Po i djeg drita se nuk ka dritë.

Flavio: I djeg tensioni i ulët?

Banori: Tensioni i ulët, nuk vjen, është 70 volt, 80 volt vijnë në rrjet të shtëpisë.

Flavio: Zoti Vorfi, ne po e bëjmë këtë lidhje nëpërmjet telefonit dhe jo nëpërmjet videos, edhe pse ju keni një situatë specifike shëndetësore, apo jo

Banori: Në video nuk do të dal, edhe nuk do të dal më para kamerave, sepse më kanë bërë shantazhime në TikTok edhe në rrjetet sociale.

Flavio: Për çfarë ju shantazhojnë? Kush ju shantazhon?

Banori: Se kush e shantazhon nuk e di. Kam rastin e përmbytjeve, kanë ofenduar në rrjetet sociale, nga më të ndryshmet, me një fjalë edhe jam ndjerë shumë keq. Unë e di se kush e shantazhon, janë VIP-at e shtetit. Të institucioneve.

Flavio: E kuptoj. Dhe e gjitha kjo që ju mos të ankoheni për situatën elektrike tuajën?.

Banori: Unë jam një person që di çfarë flas, di çfarë kërkoj, dhe po të kërkosh këtu në Shqipëri, këtu je i shantazhuar, je i diskriminuar.

Anjë mundësi nuk ka fshati me bërë ankim, me u çuar një zëri të gjithë, sepse problemet e tyre i dinë vetë ata si i kanë lidhjet me pushtetin lokal edhe me pushtetin qendror.