Kallanxhi: Tafa ushtar i Ramës për të bllokuar TikTok-un, u shpërblye duke u vënë në krye të AKSHI-t

Eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, i ftuar në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV,  duke komentuar emërimin e drejtorit të ri të Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), tha se ai vjen nga drejtimi i mëparshëm i Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), institucion që sipas tij “nuk ka treguar transparencë”.

“Ne do të rrimë pak te transparenca. Drejtori i ri i AKSHI-t ishte më parë drejtor i AKSK-së, dhe vetëm transparencë nuk ka pasur. Nuk tregoi asnjëherë pse u bë aq ‘ushtar’ i kryeministrit për të bllokuar TikTok-un. TikTok-u u hap më pas, por asnjëherë nuk u dha shpjegim se çfarë ndodhi me pajisjet e ardhura nga Izraeli, ku shkuan dhe çfarë u bë me to”, u shpreh ai.

Sipas Kallanxhit, mbeten ende pikëpyetje mbi fatin e këtyre pajisjeve dhe mbi sigurinë e të dhënave.

“Nuk dihet çfarë ka ndodhur me pajisjet, a janë ruajtur të dhëna, çfarë po ndodh me to aktualisht. Ndërkohë teknologjia sot kërkon transparencë maksimale. Në vend të kësaj, shohim rritje fondesh – nëse ishin 4 milionë euro, mund të bëhen 8 milionë euro në tenderin e radhës”, deklaroi eksperti.

Ai kritikoi ashpër praktikën e outsourcing-ut në institucione si AKSHI, duke theksuar se sistemet dhe të dhënat duhet të menaxhohen “in-house”.

Kallanxhi ngriti edhe shqetësimin për sigurinë e të dhënave personale, duke paralajmëruar për rrezikun e keqpërdorimit.

Kallanxhi: 

E para njëherë, ne do të rrimë një çikë te transparenca, meqënëse ka ardhur edhe drejtori i ri i Akshit, që është ish-drejtori i AKSK-së, që vetëm transparencë nuk ka pasur edhe te institucioni ku ishte.

Tek AKSK-ja ku ishte nuk tregoi asnjëherë pse u bë aq ushtar i kryeministrit për të bllokuar TikTok-un. Ose ndoshta kjo ishte shpërblimi që mori pas bindjes prej ushtarit ndaj kryeministrit për bllokimin e TikTok-ut, edhe pse TikTok-u u hap, edhe asnjëherë ky zotëria nuk tregoi transparencë, ku shkuan pajisjet, çfarë u bë me këto pajisjet e shumë të ardhura nga Izraeli.

Kështu që nuk dihet çfarë ka ndodhur me pajisjet, a ka ruajtur data, çfarë po ndodh me ato pajisjet akoma, kështu që ka shkuar një njeri që vetëm për transparencë nuk ka, që në fakt në këtë periudhë teknologjia kërkon transparencë. Dhe do jetë në një nivel tjetër, në qoftë se ishin 4 milionë euro do bëhen 8 milionë euro tek ai tenderi që do vijë në radhë. Kështu që, për opinionin tim, institucione si puna e Akshit duhet ta kenë çdo gjë in-house, domethënë  në shtëpi dhe jo të kenë me palë të treta sepse nuk ka më sens kjo e gjithë kjo gjë.

Outsourcing, nuk ka sens fare për outsourcing sepse  ne e pamë në rastin e skandalit në Aksh, që e merrte një kompani, e dorëzonte në një kompani tjetër, aty duhet të kishte çertifikata sigurie për ta implementuar, shkonte një kompani tjetër e zhvillonte, jepeshe me nënkontraktim një kompani e tretë akoma më katërt për ta zhvilluar dhe ne nuk dinim akoma. 

Edhe indiani ku ma gjen, po mos e merrnin njerëz të krimit të organizuar të dhënat tona që aludohet që edhe mund të kenë qenë.