Vinicius me mesazh të ashpër pas skandalit në Champions: Racistët janë...
Vinícius Júnior reagoi ashpër pas skandalit që shoqëroi ndeshjen e Liga e Kampionëve mes Benfica dhe Real Madrid, ku braziliani shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 të skuadrës së tij. Pas realizimit, loja u ndërpre për shkak të një skandali racist që errësoi mbrëmjen evropiane.
Sipas raportimeve nga kampi madrilen, sulmuesi akuzoi futbollistin e Benficës, Gianluca Prestianni, për fyerje raciste gjatë ndeshjes.
Në një reagim në rrjetet sociale, Vinicius përdori tone të forta ndaj racizmit dhe ndaj institucioneve që, sipas tij, duhet të reagojnë më ashpër.
“Racistët janë, para së gjithash, frikacakë. Ata duhet të mbulojnë gojën me bluzë për të treguar sa të dobët janë. Por, ata kanë mbrojtjen e të tjerëve në anën e tyre”, shkroi ai, duke kritikuar edhe arbitrat dhe UEFA.
Braziliani shtoi se incidente të tilla nuk duhet të tolerohen në asnjë rrethanë dhe theksoi se nuk dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes pas një fitoreje të rëndësishme të Realit.
Gjatë ndeshjes ai iu drejtua gjyqtarit François Letexier, duke raportuar ofendimin.
Pas takimit reaguan edhe yje të tjerë të futbollit.
Trent Alexander-Arnold e quajti incidentin “të neveritshëm”, ndërsa Kylian Mbappé kërkoi pezullimin e lojtarit të përfshirë. Skandali ka hapur sërish debatin mbi luftën kundër racizmit në futbollin evropian.