'Diella' u kthye në projekt politik'/ Kele: Qeveria ka shkelur GDPR-në me rastin e imazhit të aktores
Skandali rreth “Diellës”, ministres së parë virtuale të prezantuar nga qeveria si simbol i transparencës dhe inovacionit, vijon të thellohet. Ndërsa çështja ka përfunduar në dyert e gjykatës pas padisë së aktores Anila Bisha për përdorim të imazhit përtej kontratës, reagimet publike nuk kanë munguar.
E ftuar në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV, ekspertja e ekonomisë Denisa Kele e cilësoi situatën si një “degradim banal” dhe një shkelje të hapur të standardeve evropiane.
“Është një degradim banal. Të mendosh që vetë qeveria ka shkelur një ndër rregullat themelore të standardeve evropiane, pra të GDPR-së. Ne presim nga një institucion si AKSHI të jetë model serioziteti për çështje të tilla, por pikërisht AKSHI dhe qeveria shkelin ligjin për të cilin flasim çdo ditë, etikën në inteligjencë artificiale dhe etikën në teknologji”, u shpreh Kele.
Ajo theksoi se thelbi i debatit lidhet me mënyrën se si është përdorur imazhi i aktores përtej kushteve të kontratës fillestare.
“Nëse është bërë një kontratë për ta përdorur vetëm për e-Albania, dhe më pas ti e kthen në personazh institucional dhe politik, kjo është problematike. Praktikisht, nëpërmjet këtij personazhi, aktorja ka humbur autenticitetin e saj. Tashmë rrezikon të mbahet mend si personazhi ‘Diella’ dhe jo si Anila, aktorja e jashtëzakonshme që është”, tha ajo.
Sipas Keles, çështja ka marrë edhe përmasa ndërkombëtare, duke u kthyer në objekt memesh dhe diskutimesh jashtë vendit, çka dëmton jo vetëm imazhin personal të aktores, por edhe kredibilitetin institucional.
Ekspertja e ekonomisë nënvizoi se vendimi i gjykatës do të ketë peshë të madhe për të ardhmen e përdorimit të teknologjisë në Shqipëri.
Kele:
Në fakt është një degradim banal. Të mendosh që vetë qeveria ka shkelur një ndër rregullat themelore të standarteve evropiane, pra të GDPR-së. Pra, praktikisht ne presim nga një institucion si AKSHI, që të jetë një institucion totalisht serioz përsa i përket kësaj gjëje, model dhe pikërisht AKSHI dhe qeveria shkelin atë ligjin për të cilin ne flasim në përditshmëri, pra etikën në inteligjencë artificiale apo etikën në teknologji.
Debati kryesor i, i teknologjisë dhe i gjithë kësaj epoke dixhitale. Pra, praktikisht, ti ke marrë një personazh, nëse e ke bërë një kontratë, për ta përdorur, për ta përdorur vetëm për e-Albania dhe më pas ti e kthen këtë personazh dhe e përdor si personazh institucional dhe si personazh politik. Praktikisht në këtë lloj forme dhe të flasim edhe, në qoftë se do mention apo do do përmendim çfarë meme ndërkombëtare është bërë Diella, dhe unë nuk do preferoja fare të isha në vendin e aktores.
Pra praktikisht nëpërmjet këtij personazhi, në një lloj forme aktorja ka humbur autenticitetin e saj dhe kam përshtypjen që të gjithë do ta mbajnë mend si ai personazhi tashmë që u përdor për të krijuar Diellën dhe jo Anila, ajo aktorja që është e jashtëzakonshme, patjetër. Kështu që mendoj që është një shkelje shumë e drejtë. Dhe ajo që unë do ta mendoja si një ndër gjërat më të rëndësishme tani, është pikërisht vendimi që do të marrë gjykata. Dhe kjo do ta ndajë në një lloj forme se si teknologjia do të përdoret në Shqipëri në të ardhmen. Pra është një vendim shumë i rëndësishëm ai që do marrë gjykata në këtë moment.