'Alarm për centralizim', Kedhi: Shërbimet dhe të dhënat drejt 'super-kompanive' nën varësinë e AKSHI-t
Një projektligj i ri në parlament rrezikon të centralizojë edhe më tej pushtetin në duart e kryeministrit, duke krijuar “mega-struktura” publike-private që do të kenë në dorë shërbimet dhe të dhënat e qytetarëve.
Nikola Kedhi nga studioja e 'Kafe Shqeto' tha se ky plan përshkruhet si një “skenar Netflix-i” për të zhvatur fondet publike dhe për të monopolizuar tregun në favor të individëve të përzgjedhur nga qeveria.
Sipas Kedhit, nisma ligjore parashikon krijimin e kompanive të reja, 51% në pronësi të shtetit dhe 49% private, të cilat do të funksionojnë në varësi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Këto kompani do të marrin përsipër menaxhimin e shërbimeve elektronike, duke monopolizuar fushën dhe duke pasur akses në të dhënat personale të shqiptarëve, të cilat mund të përfundojnë në duart e kompanive private të zgjedhura direkt nga Këshilli i Ministrave.
Gjatë intervistës Kedhi tha se kjo lëvizje ngre shqetësime serioze për një konflikt të hapur interesi, pasi AKSHI, institucioni që duhet të rregullojë dhe kontrollojë këtë fushë, do të jetë vetë aksioner në këto struktura të reja.
Një gjë e tillë jo vetëm që e përqendron vendimmarrjen tek një njeri i vetëm, kryeministri, por gjithashtu eliminon konkurrencën dhe krijon një sistem të mbyllur e të pakontrollueshëm.
Plani vjen në një kohë kur besimi i qytetarëve tek institucionet është në nivele tejet të ulëta, faktor që shihet si shkaku kryesor i shpopullimit masiv.
Deklarata e plotë:
“Në radhë të parë duhet të kesh disa politika arsimi. Qytetarët shqiptarë e kanë humbur besimin te institucionet në Shqipëri prej kohësh, se ndryshe nuk do ishin larguar në masë kaq të madhe.
Janë mbi 1.1 milionë shqiptarë që kanë ikur vetëm në vendet e Shengenit, sipas Eurostatit.
Po të kishin besim te institucionet do rrinin këtu. Po të kishin siguri juridike, siguri shëndetësore, për për cilësinë e arsimit, siguri për jetën , do qëndronin në në vendin e tyre.
Në qoftë se këto institucione, ose ky sistem që është ngritur në Shqipëri, do ishte i mirë, po natyrisht me disa probleme.
Ndërsa këtu është, është i gjithë sistemi problematik dhe ndaj Partia Demokratike kur të vijë në pushtet, nuk do ndërrojë vetëm një qeveri me një qeveri tjetër, do ndërrojë tërësisht sistemin me një sistem tjetër më të mire, do rikthejë Shqipërinë në shinat e normalitetit., d o rikthejë shtyllat e republikanizmit, do përpiqet të adresojë të gjithë këto probleme në në të gjithë këto fusha.
Unë jam shumë dakord për një pakt të madh për arsimin, për shëndetësinë, për shpopullimin, për të rikthyer qytetarët shqiptarë në vendin e tyre.
Po kjo nuk mund të ndodhi për sa kohë qëndron kjo qeveri, sepse nuk është më çështje e një drejtuesi departamenti apo një një ministrie të këtij kabineti.
Problemi është vetëm një dhe është kryeministri. Shkoni t'ju jap një një shembull se çfarë ndodhte ndërkohë që kryeministri qante hallin e Kaçanaj se sa shumë është lodhur dhe çfarë padrejtësie po i bëhet.
Kanë futur në parlament një projektligj që përpiqet të centralizojë edhe më shumë vendimmarrjen te Këshilli i Ministrave, pra tek një person, te kryeministri dhe të krijojë disa mega-struktura të varura nga AKSHI, pra do jenë disa kompani me një përqindje private dhe një përqindje publike, të cilat do vazhdojnë të bëjnë atë që bënte AKSHI.
Edhe do monopolizojnë, edhe do centralizojnë dhe do çojnë të dhënat e shqiptarëve, ato pak që kanë ngelur ëh, jo, jo publike, në duart e disa privatëve të zgjedhur nga kryeministri.
Do krijojnë disa mega-struktura, do jenë 51% të varura nga shteti, 49% të varura nga privati dhe do jenë disa kompani private që i zgjedh Këshilli i Ministrave, pra kryeministri.
E imagjinoni domethënë, e monopolizojnë të gjithën. Nuk ka asnjë kompani tjetër që të rivalizojë me këto, se natyrisht do jenë me një përqindje të varura nga, do jenë gjysëm-shtetërore, pra gjysëm-private.
Do rritet centralizimi dhe është dhe në konflikt interesi se AKSHI që supozohet të kontrollojë, të rregullojë në një farë mënyre, do jetë dhe vetë aksioner aty brenda".