Vrasja e shqiptarit në Londër, policia kërkon kamerat e sigurisë dhe ndihmën e dëshmitarëve

Policia Metropolitane e Londrës kërkon ndihmë për të zbardhur autorin e vrasjes së Lorik Abazit i cili humbi jetën pas një sulmi me thikë në zonën e Hesterman Way më 15 shkurt.

22 vjeçari shqiptar u gjet nga policia dhe Shërbimi Ambulancës së Londrës me plagë nga thika dhe u dërgua menjëherë në spital, ku pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ndërroi jetë.

Hetuesit që po merren me vrasjen e Abazit u bëjnë thirrje të gjithë personave që kanë qenë dëshmitarë ose që kanë informacion për ngjarjen të dëshmojnë. Ata kanë kërkuar gjithashtu që çdo material filmik nga kamera sigurie (CCTV) apo kamera automjetesh që mund të ndihmojë hetimin

Familja e tij e përshkroi Lorikun si “një djalë i kujdesshëm, i zgjuar, me një sens të mirë humori dhe me të ardhmen e tij përpara” dhe kërkoi privatësi në këtë moment të vështirë.

Dy gra, të dyja 25 vjeçe, dhe një burrë 28-vjeçar, janë arrestuar si të dyshuar për vrasje. Dy të rinj të tjerë, 21 vjeç, të dërguar në spital janë arrestuar me dyshimin për përleshje.

Njëri ka lëndime serioze, ndërsa tjetri është liruar nga spitali dhe është marrë në paraburgim nga policia. Dy gra të tjera, të moshës 21 dhe 22 vjeçare, u arrestuan gjithashtu me dyshimin për përleshje. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa familja e Lorikut po përpiqet të përballojë humbjen e madhe të një djali të ri. Loriku është nipi i këngëtares Ganimete Abazi, që njihet për publikun si Ganja.