Rama ndalon me ligj hetimin e korrupsionit qeveritar, Nuri: Po shmanget konsultimi publik

Juristi Franc Nuri komenton propozimet që kryeministri Edi Rama me firmën e tij kërkon të bëjë në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime të cilat mbrojnë ministrat dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë nga pezullimi nga detyra. I ftuar në studion e "Task Force" në Syri Tv, Nuri zbulon rrezikun që këto ndryshime të miratohen pasi PS ka maxhorancën e arritur me zgjedhje të vjedhura. 

“Në draft parashikohet që të hiqet mundësia e pezullimit nga detyra të një sërë dhe një kategorie zyrtarësh të lartë, përfshirë dhe veten e tij, pra kryeministri në detyrë, presidenti i Republikës, zëvendëskryeministrat, ministrat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, avokati i popullit, KLSH-ja me radhë, një sërë institucionesh, të cilat normalisht, aktualisht mund të pezullohen me kodin aktual nga detyra, sepse përjashtimi bëhet vetëm për të zgjedhurit, që janë zgjedhur drejtpërdrejtë sipas ligjit elektoral, thotë kodi.

Por rreziku është pikërisht sepse ka ardhur nga zgjedhjet e deformuara. Dhe kur deformohen zgjedhjet, si kundër u deformuan në 2025-ën dhe u arrit kjo super-mazhorancë me 83 vota plus disa vota shtesë nga aleatët e saj që mund të ketë, pra e ka të lehtë të ndryshojë Kodet. Dhe Kodet këtu që normalisht duheshe konsensusi i opozitës, po të mos ishin 84 votat, nuk mund të ndryshoheshin kaq kollaj” tha Nuri

Nuri zbulon dhe të fshehtën pas mënyrës si u dorëzua nisma në Kuvend. Duke u propozuar nga një grup deputetësh dhe jo nga Këshilli i Ministrave, shmanget procedura e detyrueshme e konsultimit publik.

“Ndërkohë Rama çfarë bën? Nuk e sjell as si propozim të ndryshimit nga ana e Këshillit të Ministrave këtë propozim të ndryshimit të kodit, po e risjell nëpërmjet një grup deputetësh, citohet në shkresë, ka nënshkruar vetë personalisht ai si deputet, mësohet të ketë nënshkruar Taulant Balla edhe ndoshta Ulsi Manja. Pse bëhet kjo manovër? Pse nuk vjen drafti i ndryshimit të Kodit të Procedurës nga Këshilli i Ministrave? Sepse është një gjë shumë e rëndësishme. Por vjen nga deputetët. Sepse shmanget komplet procedura e konsultimit publik. Një kod kur vjen apo ndryshimi në kod, në qoftë se do të bëhen me Këshill Ministrave si propozues, ka gjithë një sërë detyrimesh, konsultime publik,  pyeten aktorët, faktorët e ndryshëm. 

Me këto ndryshime hiqet mundësia e pezullimit në të ardhmen. Prandaj dhe ky ndryshim duket qartazi që e bën për veten e tij. Nuk e bën për më për Belindën, sepse është tejkaluar debati i pezullimit.