Burimi: ‘Qetësia’ e drejtësisë, më shqetësuese se autoritarizmi i Edi Ramës!

Në një kohë kur tensionet politike në vend janë në kulmin e tyre dhe opozita përgatitet për një protestë masive, mediat prestigjioze ndërkombëtare si Reuters dhe AFP kanë publikuar lajme me tituj të fortë, duke akuzuar kryeministrin shqiptar Edi Rama se “kërkon të pengojë drejtësinë”.

Në një intervistë për emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv, analisti, Genc Burimi shprehet se thelbi i problemit qëndron në perceptimin, se qeverisja aktuale është bërë sinonim i “hajdutërisë”.

Një argument i përdorur nga Burimi, është kontradikta në deklaratat e kryeministrit, i cili nga njëra anë pretendon se nuk ka dijeni për veprimet e vartësve të tij, dhe nga ana tjetër shprehet me siguri të plotë për pafajësinë e individëve të caktuar, duke marrë kështu edhe rolin e prokurorit.

Megjithatë, aspekti më shqetësues sipas Burimit, nuk janë veprimet e kryeministrit, por “heshtja” e vetë sistemit të drejtësisë. Ndërkohë që ekzekutivi dhe legjislativi ankohen hapur për ndërhyrje nga drejtësia, organet gjyqësore dhe prokuroria nuk kanë reaguar publikisht për të denoncuar pengesat apo presionin e pretenduar nga pushteti politik.

Kjo “qetësi” e sistemit të drejtësisë, për Burimin shihet si një element më alarmues sesa vetë veprimet autoritare të politikës, duke lënë hapësirë për dyshime mbi pavarësinë reale dhe integritetin e institucioneve të reja.

Titulli është kuptimplotë. Kryeministri shqiptar kërkon të pengojë drejtësinë. Është titull i jashtëzakonshëm, sepse Reuters dhe AFP janë këto lloj matricash lajmesh në botë që pastaj i merren nga mediat si të thuash e rangut të dytë, nëse bëjmë një krahasim me agjencinë qendrore, që janë agjencitë e lajmeve dhe pastaj shtypi i përditshëm. Reuters në vigjiljet e një manifestimi të madh të opozitës bën të tilla artikuj. Domethënë, përgatit terrenin në mënyrë që në qoftë se pastaj ka një manifestim, protestë masive, që të kuptojnë mediat e botës se çfarë po ndodh. Se duhet gjithmonë një lloj historiku. Kjo është një parapërgatitje, një para-artikull si të thuash, për të kontekstualizuar çfarë mund të ndodhi në datën 20 shkurt.

Po të bësh një sondazh në Shqipëri, që sot kjo qeveri bën rimë me fjalën hajdutëri. Edhe tek militantët më të thekur të PS-së nuk ka më dyshim. Se një njeri që thoshte dje si Rama që unë s'di se çfarë bëjnë kunetërit e mi kur hanë mollë e dardhë, dhe sot e di kaq fare mirë, në mëngjes ishte skandal kur tha që e di fare mirë që zonja e AKSHI-t nuk ka vjedhur, po ka një problem. Ose ky nuk di asnjë gjë, në këtë rast ia lë drejtësisë, ose ky bën edhe prokurorin, meqë sot u angazhua përpara shqiptarëve, që ajo zonja e AKSHI-t nuk ka bërë asgjë.

Unë problemin e kam me drejtësinë. Në qoftë se i marrim variantit që PD-ja ka thënë. Që kjo drejtësi është produkt i George Sorosit për t'i prerë kokën opozitës, do të thotë se kjo drejtësi nuk është aq shumë e pavarur. Është e varur nga ata që e kanë krijuar dhe e kanë urdhëruar. Pra dje, Soros i dha urdhër të hiqet Berishës. Sot Trump thotë që të tregoni të drejtë dhe të bëni ç'të bëni. Do të thotë që nesër nëse vjen prapë Partia Demokrate në fuqi në SHBA, prapë drejtësia mund të ndërrojë krah dhe ka sipas kësaj logjike. Duke ditur që kjo drejtësi varet nga ata që e krijuan, pret që të ndodhin zgjedhjet në Washington, t'i mbushi mendjen Trumpit, t'i mbushi mendjen administratës, që ata t'i mbushin mendjen kësaj drejtësie, ta lënë Ramën të qetë vjedhë rehat. Sapo thamë Reuters-in, pikërisht se si Rama po kërkon t'i vërë shkopinj në rrota drejtësisë. Këtë drejtësi nuk po e dëgjojmë neve.

në nuk po e dëgjoj këtë drejtësinë tonë të ankohet që ekzekutivi dhe legjislativi po më pengojnë. Nuk e dëgjoj. Dëgjoj drejtësinë që ankohet për rrogat, ka shumë të drejtë. Po. Dëgjoj Ramën, ekzekutivin, Ramën legjislativ që ankohen që drejtësia neve po na ndërhyn, por nuk dëgjoj sot drejtësinë që ajo vetë të ankohet. Dhe këtë e them me plot fuqi, me eksperiencë, këtu në perëndim nuk ndodh kështu. Jo më larg se Italia që e keni më afër, se unë kam nga Franca, Italinë. Po. Në Itali e keni parë juve çfarë bën drejtësia? Tani që Meloni kërkon ta ndryshojë kushtetutën? Apo s'po flas për Francën. Kjo qetësi, kjo heshtje e drejtësisë, kjo më shqetëson shumë më tepër sesa autoritarizmi i Edi Ramës.