Raphinha sulmon arbitrimin: Është e vështirë kur kriteret nuk janë të njëjta

Raphinha ka reaguar ashpër ndaj arbitrimit pas humbjes së Barcelonës me rezultatin 1-2 kundër Girona-s, një disfatë që u kushtoi katalanasve kreun e kampionatit. Sulmuesi brazilian, një nga kapitenët e skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick, shprehu pakënaqësinë e tij përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në mesazhin e publikuar, braziliani kritikoi atë që e cilësoi si standard të dyfishtë në vendimet e gjyqtarëve. Ai pranoi se skuadra ka gjëra për të përmirësuar, por theksoi se është shumë e vështirë kur kriteret ndryshojnë në varësi të situatës. Raphinha shtoi se, nëse Barcelona duhet të luajë “kundër të gjithëve” për të fituar, atëherë skuadra është e gatshme ta bëjë këtë, duke mbyllur mesazhin me një thirrje mbështetjeje për klubin.

Postimi u shoqërua me dy fotografi: një portret bardhezi të lojtarit dhe një tjetër me ekipin e bashkuar në përqafim. Reagimi i tij lidhet sidomos me episodin e diskutueshëm në golin e dytë të Girona-s, ku lojtarët e Barcelonës pretenduan për faull ndaj Jules Koundé. Polemikat rreth këtij momenti vazhdojnë, ndërsa edhe lojtari kundërshtar, Claudio Echeverri, pranoi se do ta kishte kuptuar nëse gjyqtari do të kishte sinjalizuar faull.