Ish-futbollisti i Interit dënohet me 8 muaj burg për trafik droge

Ish-futbollisti italian, Fabio Macellari, është dënuar me tetë muaj burg dhe me një gjobë prej 1800 eurosh nga Gjykata e Piacenza-s për akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Vendimi është marrë pas një hetimi të nisur në vitin 2019 dhe të zhvilluar nga karabinierët e Bobbios.

Sipas medieve italiane, Macellari nuk e ka mohuar kurrë përdorimin personal të kokainës, por ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat për trafik droge. Gjykata e ka shpallur fajtor për një episod të vetëm të shitjes së drogës ndaj një pale të tretë, ndërsa e ka shpallur të pafajshëm për dy akuza të tjera, duke arsyetuar se “fakti nuk ekziston”.

Pas shpalljes së vendimit, ish-mbrojtësi është shoqëruar sërish në burgun e Cagliari-t, ku po vuan një dënim prej pesë vitesh të dhënë nga gjykata lokale për keqtrajtim ndaj ish-partneres dhe për zhvatje ndaj nënës së saj. Dënimi i ri për trafik droge i shtohet kësaj mase ekzistuese.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, Macellari u formua te Pro Sesto dhe Fiorentina, përpara se të vishte fanellat e disa klubeve të njohura italiane si Lecce, Cagliari, Inter dhe Bologna.