SYRI TV/ Hapen portat e HEC-eve, përmbyten rrugët kryesore dhe toka bujqësore e Obotit
Reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë krijuar problematika në disa zona të vendit. Dhjetëra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë në fshatin Obot të Shkodrës për shkak të hapjes së portave të HEC-eve. Në Fushë Krujë, lumi Ishëm ka dalë nga shtrati, duke përmbytur sipërfaqe të mbjella në fshatin Murqinë. Reshje të dendura bore ka pasur në disa zona të Korçës, si dhe në Valbonë, ku është dashur ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për të garantuar kalueshmërinë e akseve rrugore.
Reshjet e shiut dhe të borës kanë përfshirë disa qarqe të vendit. Si pasojë, janë shfaqur problematika kryesisht në përmbytjen e sipërfaqeve të tokave bujqësore, bllokimin e rrugëve, si dhe rrëshqitje dherash. Reshjet e shumta dhe prurjet e mëdha në Kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit kanë detyruar autoritetet të nisin shkarkimet nga hidrocentralet. Një veprim i tillë, ashtu si edhe rreth një muaj më parë, ka sjellë problematika në zonën e Obotit në Shkodër. Dhjetëra hektarë tokë bujqësore në këtë fshat janë nën ujë, ndërsa deri tani nuk paraqitet rrezik për banesat. Aksi rrugor lidhës i fshatit me rrugën kryesore ka prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar kalimin e mjeteve të vogla.
Ndërkohë, në akset rrugore malore në Shkodër ka pasur reshje intensive bore. Aksi Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje të dendura, ndërsa Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të ortekëve. Në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra, ku qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Fushë Krujë
Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të natës dhe mëngjesit kanë bërë që lumi Ishëm të dalë nga shtrati pranë fshatit Murqinë, në Fushë Krujë. Sipas banorëve, uji ka përmbytur dhjetëra hektarë tokë bujqësore të mbjella, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në kultura. Situata paraqitet më problematike në lagjen fundore të fshatit, e cila është e izoluar, pasi rruga lidhëse është e kalueshme vetëm me mjete të larta. Rritja e nivelit të ujit ka ardhur si pasojë e prurjeve nga reshjet, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për përkeqësimin e mundshëm të situatës. Kujtojmë se vetëm një muaj më parë, dalja e lumit Ishëm përmbyti qindra hektarë tokë të mbjella në këtë zonë.
Korçë
Në qarkun e Korçës, për shkak të reshjeve të borës, në disa segmente, si Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë, është dashur ndërhyrja e mjeteve borëpastruese për pastrimin dhe kriposjen e rrugës, në mënyrë që qarkullimi i automjeteve të vijojë normalisht. Në segmentin Boboshticë–Dardhë operojnë dy mjete borëpastruese për të garantuar kalueshmërinë, ndërsa qarkullimi rekomandohet vetëm me goma dimërore. Në aksin Maliq–Kufi Gramsh, reshjet e shiut gjatë natës kanë sjellë dalje të dy përrenjve me inerte në rrugë, duke krijuar problematika.
Kukës
Reshje të dendura bore ka pasur në zonat e thella të qarkut të Kukësit, ku në Valbonë trashësia ka arritur deri në 25 cm. Është punuar për pastrimin e borës, kriposjen e rrugëve si dhe largimin e gurëve dhe inerteve, me qëllim garantimin e kalueshmërisë së akseve.
Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastrës, si pasojë e reshjeve të dendura, janë shfaqur problematika në disa akse rrugore. Në bashkinë Tepelenë, në vendin e quajtur Përroi i Dorzës, në Njësinë Administrative Lopës, ka prurje të mëdha uji dhe për pasojë rruga është e pakalueshme. Po në këtë njësi, në aksin Qafë Memaliaj–Sinanaj, ka rrëshqitje toke dhe prurje inertesh, por rruga është e kalueshme me vështirësi. Në bashkinë Gjirokastër problem mbetet rruga e fshatit Labovë, ndërsa në bashkinë Libohovë vijon të jetë e bllokuar rruga e fshatit Lliar.