FSK-ja dhe Policia demonstrojnë kapacitetet në 18-vjetorin e pavarësisë

Njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës parakaluan më 17 shkurt në qendër të Prishtinës, në kuadër të ceremonive shtetërore për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Parakalimi, i shoqëruar nga automjete ushtarake dhe pajisje të avancuara, pasqyroi përpjekjet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së vendit, si dhe gatishmërinë e institucioneve për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.

Presidentja Vjosa Osmani, si komandante supreme e FSK-së, theksoi se pavarësia e Kosovës është rezultat i sakrificës dhe luftës për liri, duke nënvizuar se “pa kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësia nuk do të ishte realiteti që festojmë sot”.

Ajo shtoi se përgjegjësi e brezit të sotëm është ta bëjë Kosovën më të drejtë për fëmijët dhe më të fortë për të ardhmen.

1 Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të transformimit në ushtri me kapacitete të plota.
2 Procesi i transformimit të FSK-së ka nisur në vitin 2018 dhe, sipas planifikimeve zyrtare, pritet të përfundojë në vitin 2028.
3 FSK-ja ka përmbushur tashmë objektivin për 5.000 trupa të rregullta.
4 Sipas zyrtarëve të Mbrojtjes, ende mbetet për t’u plotësuar komponenti rezervë, i cili parashihet të përbëhet nga 3.000 pjesëtarë.
5 FSK-ja ka marrë pjesë në disa misione dhe aktivitete rajonale e ndërkombëtare, kryesisht me karakter humanitar, trajnues dhe paqeruajtës, duke forcuar rolin e saj në sigurinë ndërkombëtare.
6 Aktualisht, FSK-ja po përgatitet për të dërguar trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën - një projekt i nisur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
7 "FSK-ja është e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial", tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së parakalimit.
8 Përbërja e plotë e armatimit të FSK-së mbetet e paqartë, ndërsa pajisjet e konfirmuara zyrtarisht përfshijnë automjete të blinduara dhe dronë.
9 Sipas zyrtarëve të FSK-së, armatimi dhe pajisjet janë në përputhje me standardet e NATO-s.
10 Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit, duke u trefishuar nga 67.3 milionë euro në vitin 2021 në 207.8 milionë euro vitin e kaluar.
11 Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova ka forcuar ushtrinë me armatim modern, municion të mjaftueshëm dhe lokacione të reja strategjike.
12 Për Policinë e Kosovës, që numëron rreth 10.000 pjesëtarë, Kurti tha se ajo "vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme në vend".
/REL