Barcelona i lëshon kreun Realit, Flick shpërthen dhe braktis intervistën pas humbjes me Gironën
Klima te Barcelona është tensionuar ndjeshëm pas eliminimit nga Kupa e Spanjës dhe humbjes ndaj Girona në La Liga, rezultate që i kanë kushtuar katalanasve edhe kreun e renditjes.
Tensioni u reflektua qartë te trajneri Hansi Flick, i cili ndërpreu në mes intervistën pas ndeshjes.
Tekniku gjerman ishte i acaruar me një vendim të arbitrit për një episod të diskutueshëm që i parapriu golit vendimtar.
Flick reagoi për kontaktin mes Claudio Echeverri dhe Jules Koundé, duke kërkuar një koment nga gazetari që po e intervistonte.
Kur ky i fundit refuzoi të shprehte opinion për aksionin, trajneri gjerman humbi durimin.
“Nëse ti nuk ke një opinion për atë ndërhyrje, atëherë as unë nuk kam asgjë për të thënë këtu”, u shpreh Flick para se të largohej nga mikrofoni. Episodi pasqyron momentin e vështirë që po kalon Barcelona, me presionin që po rritet pas rezultateve negative.