'Uji mori para gjithçka'/ Banori: Shteti mbron Salillarin, Emergjencat na përzunë me arsyetimin ‘nuk ka dëme në njerëz’

Një banor i Katundit të Ri ka parë se si puna e një jete i është marrë para nga vërshimi i ujit brenda pak sekondash.

Nexhip Meta rrëfen se si përmbytja e fundit ishte fatale, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke i rrezikuar jetën familjarëve të tij.

“Këtë radhë qe fatale, sepse mund të rrezikoheshim dhe jetë njerëzish. Na izoloi në mënyrë të menjëhershme”, shprehet ai. Dëmet materiale janë të mëdha.

Sipas banorit, uji i ka marrë rreth 20 krerë bagëti dhe afërsisht 80 shpendë, ndërsa toka bujqësore i është mbuluar plotësisht nga skorjet dhe inertet, duke e bërë të papunueshme.

LEXO EDHE: Punimet e 'Salillarit' për Korridorin 8 përmbytin banesën në Bradashesh, familja Meta: Askush nuk mban përgjegjësi

Ai thekson se jeton aty prej 66 vitesh dhe një situatë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Zhgënjimi më i madh për të është mungesa e përgjegjësisë nga institucionet.

Ai pretendon se as firma Salillari e cila po kryen punimet aty pranë dhe as pushteti lokal nuk kanë marrë përsipër asnjë masë apo ofruar dëmshpërblim.

“Dëmshpërblim fare. As firma, as pushteti lokal, asgjë,” thotë ai, duke shtuar se edhe pas takimit me përfaqësues të emergjencave civile, e vetmja përgjigje ishte se “nuk ka dëme në njerëz”.

Meta hedh akuza të forta, duke deklaruar se shteti po mbron interesat e firmës private dhe jo të qytetarëve.

“Policia nuk është në shërbim të popullit, është në shërbim të firmave. Është në shërbim të atij më të fuqishmit dhe jo të viktimës”, përfundon ai rrëfimin.

Nexhip Meta, banues i Katundit të Ri:

"Pak ditë më parë erdhi uji, po nuk e patëm këtë përmbytje. Kurse këtë radhë qe fatale. Qe fatale sepse mund të rrezikoheshim dhe jetë njerëzish se na izolojë mijë në mënyrë të menjëhershme.

Dëmi që shkaktoi ka marrë 20 bletë, edhe pula nuk gjinden asnjë.  Afërsisht ke 80 krerë me zogj, me pula, me kështu.

Edhe toka që u mbulua nga skorja, se kush do e pastrojnë atë tokë, nuk e di. Firma nuk merr përsipër absolutisht asnjë gjë.

E dyta që përmbytemi. Absolutisht. Ishim dje dhe në bashki, folëm me ata të emergjencave civile. Nuk ka dëme në njerëz, nuk ka probleme.  Absolutisht asnjë gjë. Dëmshpërblim fare.

As firma, as pushteti lokal, asgjë.  Unë këtu kam 66 vjet që jam lind edhe u plaka këtu. 

Herët e tjera nuk pata dëme materiale. Uji kaloi, po dëme materiale jo. Këtë herë që dëm i madh.

Tanii, është shteti ai që frenon punimet, nuk jam unë. Ai e pru policinë këtu, unë s'e bi dot policinë. Këtu nuk vjen policia me mua. Kurse ai e pru policinë që ne do vazhdojmë punimet.

Policia nuk është në shërbim të popullit, është në shërbim të firmave. Është në shërbim të atij më të fuqishmit. Dhe nuk është në shërbim të kujt, të atij viktimës. Kjo është gjithë pasqyra".