Kopshti privat i familjes së tij/ Rama mbron Karçanajn: Nuk e di çfarë ka bërë, por do dalë e pastër

Edi Rama prezantoi sot drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa.

Ky i fundit zëvendëson Mirlinda Karçanaj, e cila po hetohet nga SPAK.

Ndërkohë, AKSHI është cilësuar si kopshti i familjes së Edi Ramës, pasi i ka pasuruar ata, duke e nisur me baxhanakun e Ramës, i cili edhe sipas medieve pro-Ramës, ka marrë miliona nga AKSHI.

Ndërkohë Rama sërish e mori në mbrojtje Karçanajn, për të cilën tha se do të dalë e pastër.

E megjithatë, Rama deklaroi ndër të tjera se nuk e di mirë se çfarë mund të ketë ndodhur në AKSHI.

“Në radhë të parë desha të bëja një falënderim shumë të madh për Linda Karçanajn, e cila ka punuar për dy dekada e më shumë, qysh kur kemi qenë në Bashkinë e Tiranës, të cilën e njoh si një prej njerëzve më të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend. Të cilën ju e njihni vetë personalisht dhe besoj ndani me mua që Linda ka qenë gjithnjë e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej nga puna. Jam pikëlluar nga gjithçka që ajo po kalon. Në radhë të parë nga agresioni barabar i portaleve, dhunës verbale që e asociojnë me gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me të.

Natyrisht si gjithmonë unë nuk hyj në meritën e çështjes në fjalë, nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e këtyre kompanive të përfshira në hetim. Por unë kam dijeni për faktin që Linda është nënë e vetme me dy fëmijë. Ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik.

I them këto në respekt të një personi që sot ndodhet në një kalvar, ku unë besoj me gjithë zemër do dalë i pastër, por nuk më takon mua ta them këtë, i takon drejtësisë. Por kjo nuk do të thotë t’i hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe revolucioni që ka udhëhequr së bashku në këtë udhëtim. Ky ekip është një nga asetet më të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë,” tha Rama.

Në fakt ai që Rama e quan aset është shpallur si një grup i strukturuar kriminal.