Zbulohen kimikate të rrezikshme të lidhura me kancerin në zgjatimet e flokëve
Në zgjatimet e flokëve, osesiç quhen rëndom "ekstenshën",janë zbuluar dhjetëra kimikate të rrezikshme, disa prej tyre të lidhura me kancerin dhe çrregullime hormonale. Shkencëtarët paralajmërojnë se gratë me ngjyrë janë sidomos të ekspozuara ndaj rreziqeve, duke kërkuar ndërhyrje nga rregullatorët dhe qeveritë.
Zgjatimet, si ato me flokë natyralë ashtu edhe sintetike, trajtohen shpesh me kimikate për pastrim dhe për t'i bërë rezistente ndaj flakës. Megjithatë, sipas dr. Elissia Franklin-it nga Silent Spring Institute në Massachusetts, kompanitë rrallë zbulojnë se cilat substanca përdorin, duke i lënë konsumatorët pa informacion për rreziqet nga përdorimi afatgjatë.
Gjetjet u publikuan në revistën shkencore Environment & Health të American Chemical Society. Organizata Level Up tha se studimi konfirmon shqetësimet e ngritura prej vitesh nga gratë me ngjyrë për ekspozimin ndaj kimikateve që shkaktojnë kancer dhe sëmundje të tjera serioze, si dështimi i veshkave dhe fibromat.