Kosovë - Shqipëri, kufiri që nuk duhet të ekzistojë
Tashmë të gjithë shqiptarët e dinë se çfarë ishte kloni, çfarë ishte kufiri në kohën e territ diktatorial. Shqipëria ishte i vetmi vend në botë, që në të gjithë hapësirën e kufirit të saj tokësor, kufizohej me toka e troje shqiptare. Kufizohej me hapësira e territore ilire, që të tjerët na i morën, të tjerët na i konfiskuan. Që të tjerët na i vodhën, here me dhunë e herë më tradhti e pisllëqe superfuqish.
Unë jam rritur më dashninë për atë truall që ishte përtej klonit, përtej brezit të butë. Ishte e sinqertë ashtu siç është sot. Atëherë nuk kishte ndjesi që po simpatizoj diçka të mistershme. Misteret me shtoheshin vetëm kur pyesja pse nuk jemi bashkë. Babai im m’i kishte shpjeguar të gjitha. Edhe për gjysmën e fisit që kufiri e kishte lënë andej. Edhe për miqtë e shumtë të tij apo të të tjerëve nga vendlindja që ishin andej kufirit, përtej klonit, aty ku ushtarë serbë rrinin ditë e natë, e na mbanin ndarë. E pushtuan Kosovën me ndihmën e komunistëve shqiptarë dhe e mbajtën deri në vitin 1999 kur liria erdhi si ato shqiponjat e maleve krenare të Malësisë së Gjakovës që “thyenin” kufirin e nuk pyesnin për ushtarët. Fluturonin!
Tani ka 18 vjet që Kosova ka fituar pavarësinë prej shkjaut. E unë njëjtshëm ndihem kur kaloj në kufi. Emocionohem si dikur që e shkelja më vetëdije që të kuptoja emocionin e dhimbshëm të tokës “tjetër” që ishte truall shqiptar.
Edhe pse kontrollet kanë rënë prapë me duket sikur nuk po shkoj në vendin tim. Prandaj duhet me i shkulë ata trarë ne kufi e ato kabina ku rrinë policë. Ne vend të kabinave duhet vënë emrat e dëshmorëve që u vranë për lirinë e kombit shqiptar.
18 vjet me duket një rritje si ajo që kam pasur unë. Me sytë përtej kufirit tek Fushat e Gjakovës e deri në Prizren apo Pejë. Dhe babai im me gisht drejtuar tek më tregonte emrat e fshatrave e rrugëve. Gjithmonë kur qielli ishte i kthjellët e ushtarët e spiunët larg. Ja Ereniku. Ja Gjakova. Këndej është Skivjani, Oseku, Juniku. Atje nga gryka shkon rruga për në Pejë. Këtu poshtë kodrës së Ujezës është Kosharja. E pas atyre fushave nuk është larg Prizreni. Ja, atje në rrëzë të atij malit me pak borë në majë. Atje është. Atje është gjithçka më thoshte ai, me zërin si një amanet që nuk e tret dheu që një ditë të shkonte sërish atje. Atje ku blinte grurin e misrin për bukën e përditshme e ku odat qëndronin të hapura deri në mëngjes duke pritur e përcjellë miq e mysafirë.
Faleminderit Adem Jashari, Skënderbeu i kohëve moderne që ma solle Kosovën ashtu siç e ëndërroja tek flisja me tim atë. Faleminderit Ibrahim Rugova që ma zbukurove shqiptarinë me dinjitetin që u takon të trashëgojmë nga ilirët. Faleminderit djemve shqiptarë që kapën pushkën në UÇK, e nuk u ndalën para asgjëje që të përqafonin nënat e tyre e fëmijët që rriteshin në robëri.
Sot kam festë edhe unë. Sot kanë festë gjithë shqiptarët. Festë që duhet të na bashkojë. E atyre që i lëpihen pushtuesve serbë t’u tregohen pa frikë dhe emocione historitë e gjysheve tona që Serbia ua masakroi familjet. Historitë e baballarëve tanë që serbët u vranë të ardhmen. Unë do ua tregoj fëmijëve të mi ato që me thoshte gjyshja ime nga nëna, Lake Salihja - Dedushaj për familjen e saj të masakruar nga serbët në Vuthaj. Të gjithë duhet të tregojmë historinë që kemi. Unë do t’ua rrëfej fëmijëve të mi edhe luftën për lirinë e Kosovës. Pata fatin ta ndjek direkt nga fronti si gazetar. Herë me dhimbje e frikë e herë me gëzim e trimëri. Kam prekur me sytë e përlotur lirinë që kishte zënë rrënjë në djelmninë shqiptarë të Kosovës por jo vetëm. Edhe zërin e djalit të ri nga Peja, që po e mbaja në duar se ishte plagosur e më thoshte shiko shokun tim se unë nuk kam gjë. Edhe këtë do tu tregoj fëmijëve të mi. E ata t’ua tregojnë fëmijëve të tyre.
Kështu, çdo 17 shkurt do jetë më i bukur e më i qartë. Që edhe bashkimi i trojeve të mos jetë aspak tabu. Por realitet!