'Buka me arsenik në treg': Muçollari debat me përfaqësuesen e AKU: I keni lënë qytetarët të pambrojtur

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari komentoi në studion e 'Kafe Shqeto' rastin e bukës me arsenik, duke vënë në dukje se qytetarët mbeten të ekspozuar për shkak të mungesës së koordinimit dhe reagimit të shpejtë nga institucionet.

Ndërkohë, përfaqësuesja e AKU-së, Polikseni Drazho nga Sektori Shkencor i AKU-së kundërshtoi duke kërkuar verifikim të analizave, duke theksuar se nuk janë publikuar prova të mjaftueshme për të konfirmuar rrezikun.

Muçollari shpjegoi se informacioni për rastin nuk ka ardhur nga kontrolli i drejtpërdrejtë i AKU-së, por nga vetë kompania mëmë, e cila njoftoi institucionin mbi problemin.

Ai kritikoi vonesën në informimin e publikut dhe sekuestrimin e mallit, duke theksuar se vetëm pas disa javësh qytetarët morën njoftimin, çka tregon mungesë serioziteti dhe përgjegjësie institucionale.

Ai gjithashtu u ndal tek përgjegjësia e institucioneve dhe nevoja për sisteme të reagimit më të shpejtë, analizë transparente dhe mbikëqyrje më të rreptë të kompanive, duke e cilësuar këtë rast si një shembull të qartë të mangësive të sistemit të sigurisë ushqimore në vend.

Pjesë nga biseda në studio:

P. Drazho: Buka me arsenik? Më fal, domethënë logjikisht ku e gjeti arsenikun buka?

G. Mucollari : Ky është investigim i një televizioni (jo aq opozitar) me thënë të drejtën.

P Drazho: Jo, jo, nuk po them për opozitë apo jo opozitë. Jam shumë dakord. Si logjikë, arseniku në bukë...

G. Mucollari : Po leje tani mos hyjmë te arseniku. Ne po flasim për një investigim të një emisioni që flet për problemet, domethënë në pesë prova që ka marrë, në pesë furra buke ka probleme të thella në raport me cilësinë

P. Drazho: Po ku janë analizat të cilat nuk na janë vënë në dispozicion që ne të verifikojmë?

G Muçollari: Duhet ta kishit bërë më përpara këto analiza për ta parandaluar rastin!

P. Drazho  Ku janë provat? Ku janë provat të cilat bazojnë që kjo bukë ka rezultuar me këtë problematikë?

P. Drazho : Tani ne këtë po themi, që merret produkti dhe analizohet. Mirëpo rastet e pranisë së arsenikut në bukë apo në drithëra, se buka vjen nga drithërat, janë shumë të rralla. Madje dhe mund të jenë dhe inekzistente, sepse ku e mori?

G. Mucollari : E di,  çfarë është interesantja se nganjëherë më bën përshtypje dhe do të doja domethënë që të kishte punonjës të ndershëm, por dhe ndërkohë mos merrnim përsipër të mbronim të pambrojturën.

G Muçollari:  Informacionin e kisha marrë nga rrjeti i kompanive, që do të thotë përgjegjshmëria e vetë kompanisë për të njoftuar që shiko se këtë unë po e bllokoj dhe kush e ka këtë produkt duhet ta heqi.

Dhe në të njëjtën kohë, teorikisht AKU-ja duhet ta njoftonte si rast sepse vetë kompania e kishte njoftuar AKU-në.

Domethënë, jo AKU-ja e kishte kapur rastin, por kompania i kishte thënë AKU-së që shiko, ka ndodhur që ky rast, më ka njoftuar kompania mëmë, ka këtë problem.

AKU-ja në lidhje me mishin, ju deshën disa javë që ta nxirrte lajmërimin në mënyrë që qytetarët mos e konsumonin ata që e kishin blerë, por ndërkohë ju deshën dhe tre javë të tjera të shkonte të sekuestronte mallin, pas këmbënguljes së fortë të kompanisë dhe përgjegjshmërisë së kompanisë. Që do të thotë që këtu jemi në dorë të fatit".