Edi Rama: Shikoni si më falenderon populli mua, për të vdekur... në Kubë!

Nuk është më sekret teknika e komunikimit që Edi Rama përdor me publikun, duke shfrytëzuar rrjetet sociale. Nëse lexon statuset e kryeministrit në Facebook të mbushet mëndja se në Shqipëri punët shkojnë në mos “vaj”, të paktën normal, si në çdo vend tjetër të Europës.

 Kur thatësirat shkretojnë të mbjellat e fshatarëve pasi nuk ka asnjë investim për ujitjen, Rama nxjerr në FB “pamje të mrekullueshme” lumenjsh dhe plazhesh shqiptarë; kur zjarret shkretojnë vendin dhe shteti gjunjëzohet pasi për këto raste ka përgatitje Zero, ai i tregon popullit ca ushtarë me lopata që “luftojnë” si heronj;  kur turistët vdesin nga mungesa e rojave bregdetare, kryeministri nxiton të shpërndajë reportazhe të mediave të huaja, që ngrenë në qiell “turizmin” shqiptarë…

E kështu me radhë për çdo problem real; kap “bojë e furçë” dhe ec përpara se kështu e do dhe “të jep” votën, ky popull.

Pasi edhe militant më i verbër i Partisë Socialiste, më në fund e ka kuptuar lojën e madhe që bëri me të ashtuquajturën Reformë në Shëndetësi duke ju shpërndarë nëpërmjet koncesioneve klientëve të tij qindra milion euro, në vend që të pranojë rrënimin e këtij sektori jetik, mburret se ka mundësuar për tu shëruar një qytetar në spitalet e Kubës, edhe pse fatkeqësisht ai ka vdekur.

Në vend që të japë llogari për gjendjen skandaloze të spitaleve të tij, ku edhe kardiologët bëjnë gjinekologun krenohet se transferoi me paratë e taksapaguesve shqiptarë për kurim në Kubë (dhe mirë ka bërë) një doktor të nderuar si Mark Prenga, në hall jete.

Por sa mijëra të tjerëve nuk ju vjen radha të mjekohen jashtë vendit (apo në spitalet private) si rasti në fjalë, apo si deputetët dhe ministrat e tij që edhe një dhëmballë të prishur e kurojnë në klinikat më të mira të Europës?

Shikoni si e bën hyrjen përpara se të ftojë njerëzit të lexojnë letrën e sinqertë të Arlin Prengës, për historinë e babait të tij që ju mundësua një vizitë në Kubë me paratë e buxhetit të shtetit.

Ne ndërkohë që jo pa të drejtë trazohemi nga sjelljet e nga aktet e parazitëve dhe grabitqarëve në zyrat e shtetit, pak ose aspak vlerësohen moralisht, mijëra e mijëra punonjës, me dinjitet e profesionalizëm në shërbim të këtij shteti. Ja një ndër jo pak mesazhet e vlerësimit që i’a vlen të lexohet në respekt të këtyre punonjësve”, shkruan Rama duke “harruar” të na thotë se përse Shëndetësia e tij e rilindur është ku e ku më larg se ajo e një vendi komunist si Kuba dhe çfarë merite të veçantë paska ai vetë dhe Ditmir Bushati në këtë rast?!

Por pyetja më elementare është: Përse nuk i boton ato qindra letra që merr çdo ditë, ku tregohet se si në “shtetin” që ai ka bërë, në shëndetësinë e Beqjes, njerëzit vdesin edhe për një paracetamol?!/ Syri.net

Letra e plotë falënderuese, që Arlin Prenga i dërgon Edi Ramës

Pershendetje te Gjitheve, Tani, qe ra sipari dhe Babai im, Dr.Mark Prenga, prehet me se fundi ne paqe, po Ju shkruaj dy rreshta falenderimi nga thellesia e zemres.

Udhetimi i shpreses ne Kube, per te kuruar Babain tim te semure me tumor ne mushkeri, u pre ne mes.

Vdekja e nje prindi eshte nje ngjarje shume e dhimbshme, aq me teper kur kjo ndodh ne dhe te huaj e ne nje vend shume larg Atdheut. Kendveshtrimi ndaj botes ndryshon papritur, nje brishtesi e jashtezakonshme trazon ambjentin rreth e rrotull teje.

Mendimi im pare ishte qe t’i drejtohem per ndihme organeve shteterore shqiptare.

Ne nje kohe rekord e me nje ndjeshmeri te papare, shteti shqiptar me ka ndihmuar ne çdo hap e ne çdo ore te dites dhe nates. Ne nje gjendje psikologjike te tille, kjo mbeshtetje ishte me nje rendesi te jashtzakonshme per mua dhe familjen time qe priste ne Shqiperi.

Gjithesecili nga ju, duke filluar nga Kryeministri Z. Edi Rama e duke vazhduar tek Z.Ditmir Bushati, Z.Gazmend Barbellushi, Z. Nuri Domi, Z. Guri Selmani, Z. Artan Canaj, Z. Rezar Bregu dhe ne fund por jo e fundit, Znj. Najada Sojli e stafin e Neë York-ut.

Ne kete odise kaq te veshtire e plot peripeci burokratike, ne nje nga etapat e kthimit ne Atdhe te tim Eti, pata fatin te takoja personalisht Znj. Najada Sojli, e cila me eshte gjendur prane ne çdo moment, me dhembshurine e nje motre te madhe e si nje funksionare e perkryer, me keshilla te vyera e me nje perkushtim per punen e saj. Nuk e humbi per asnje çast toruan dhe me keshillat e saj, u be i mundur transportimi i trupit nga Havana-Meksike-Neë York-Stamboll-Tirane.

Kishte shume sinjale qe shteti shqiptar ishte ne rrugen e duhur me shkolla, kopshte, rruge, sheshe, infrastrukture, lufte ndaj korrupsionit, imazhi i ri i Policise, Ushtrise, Shendetesise e te tjera. Ne qe jemi larg mbase i kuptojme me mire.

Me kete lloj mbeshtetje nga ana e shtetit, te paimagjinueshme deri pak vite me pare dhe e mirepritur nga te gjithe te afermit dhe miqte tane, po arrijme te shohim me ne fund, konturet e nje shteti te se drejtes, qe na ben te ndjehemi krenare kudo qe ndodhemi. Uroj te vazhdoni ne kete rruge kaq te rendesishme dhe te mos na zhgenjeni. Siç e thoni edhe vete “Shume kemi bere dhe ka ende shume per te bere”.

Shpresa vdes e fundit.

Me respekt

Arlind Prenga dhe familja.

P.S. Kerkoj ndjese nese kam harruar ndonje person pa falenderuar