Nuri: Rama po ndryshon Kodin e Procedurës Penale për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur qeverinë
Nga Franci Nuri
Ndryshimet ligjore në Kod, të bëra sot publike, dhe monologjet autoritariste të Edi Ramës dëshmojnë se diktatura po i instalon gjithnjë e më thellë rrënjët në Shqipëri.
E shihni, miq, çfarë po ndodh në Shqipëri? Akuzohet për abuzime të rënda zëvendëskryeministrja e Edi Ramës, krahu i tij i djathtë, dhe Prokuroria e Posaçme ka dy muaj që kërkon arrestimin e saj. Por ajo fshihet pas imunitetit si deputete, ndërsa e gjithë qeveria, Rama dhe PS si grup parlamentar janë kthyer në zyrë avokatie për të: bllokojnë çdo nismë për heqjen e imunitetit, Rama sulmon publikisht gjyqtarët, Gjykatën Kushtetuese dhe SPAK-un.
Por kjo nuk u mjafton. Sot kalojnë një cak edhe më të rrezikshëm.
Po ndryshojnë Kodin e Procedurës Penale me qëllim që të mbrohen nga çdo mundësi pezullimi nga detyra prej drejtësisë. “Drejtësia e re”, për të cilën dikur mburreshin se e kishin reformuar kur e kontrollonin, sot që po heton qeverinë në detyrë, e sulmojnë dhe i ndryshojnë ligjet për t’u krijuar mburoja të reja ligjore, vetëm për të shpëtuar veten.
Çfarë presin më miqtë tanë europianë dhe amerikanë për të ndërhyrë? Shqipëria ka hapur kapitujt e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian, por sot po hedh poshtë parimet bazë të shtetit të së drejtës. Ligjet po i ndryshon qeveria për të mbrojtur anëtarët e vet.
“Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë”, thotë Rama.
Kjo nuk është thjesht turp.
Kjo është fundi i shtetit të së drejtës.
Është fundi i Republikës.
Data 20 po afron dhe populli shqiptar duhet t’i tregojë STOP instalimit përfundimtar të diktaturës.
Ndryshe, mbetet vetëm që Rama të ndryshojë Kushtetutën dhe të shpallet mbret.