SYRI TV/ Gjykata pezullon drejtorin e financës në AMP! Gëzim Sala 'kurbani' i vrasjes Muçi Shaljanit
Gjykata e Tiranës ka pezulluar nga detyra drejtorin e Drejtorisë Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Gëzim Sala.
Ai akuzohet se ka lejuar në shkelje të ligjit punësimin e agjentit Muçi Shaljani, i cili mbeti i vrarë gjatë atentatit në Rinas së bashku me Gilmando Danin, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.
Gëzim Sala akuzohet për veprën penale shpërdorim detyre.
Hetimet ndaj tij nisen pas vrasjes se Muçi Shaljanit i cili perveçse ishte agjent i AMP, punonte edhe si shofer i Gilmando Danit.
Sipas Prokurorisë, Shaljani u punësua brenda 4 ditesh përmes nje urdhëri ne kundërshtim me ligjin.
Sala kërkoi që urdhëri të bëhej shpejt me motivacionin ‘pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”.
Detaje të reja zbardhen nga hetimi i prokurorisë e cila ka dyshime se rekrutimi i Muçi Shaljanit, nuk ka qenë rastësor por është bërë me qëllime të tjera që nuk kanë të bëjnë me profesionin, por për t’ju shërbyer grupeve kriminale.
Burime jo zyrtare thanë se dyshohet se për këtë qëllim është gjetur ekzaktësisht edhe funksioni që iu dha e që kishte të bënte me vëzhgimin. Ndërkohë që drejtori, Gëzim Sala, vijonte të ishte në detyrë dhe ciklonte çdo shkresë, madje edhe për veprime hetimore të AMP për punonjës të policisë gjë që pengonte edhe hetimet që kishin nisur ndaj tij.
Këto janë arsyet që bindën prokurorin Bledar Valikaj të kërkonte masë pezullimi ndaj tij deri në përfundim të hetimit.
Atentati mafioz që i mori jetën punonjësit të AMP dhe Gilmando Danit në Nëntor 2025 në Aeroportin e Rinasit, prej disa ditësh po hetohet nga SPAK, pasi organi hetues i kryeqytetit shpalli moskompetencë.
Foto: Gëzim Sala