Kanadaja emëron kryenegociatoren e re tregtare me SHBA-të

Kryeministri kanadez, Mark Carney njoftoi të hënën emërimin e nëpunëses publike, Janice Charette si kryenegociatore e ardhshme tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Charette do të veprojë si këshilltare e lartë e Kryeministrit dhe e Dominic LeBlanc, ministrit përgjegjës për tregtinë Kanada-SHBA, në shqyrtimin e ardhshëm të Marrëveshjes Kanada-Shtetet e Bashkuara-Meksikë, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit.

Kanadaja dërgon rreth 70% të eksporteve të saj në Shtetet e Bashkuara. CUSMA, e njohur edhe si Marrëveshja Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada, është një pakt tregtar kontinental që ka mbrojtur pjesën më të madhe të eksporteve të Kanadasë nga tarifat e SHBA-së . Ai është në shqyrtim të përbashkët deri në afatin e 1 korrikut.

“Me katër dekada përvojë në politikat publike dhe diplomaci, Janice Charette sjell lidership të jashtëzakonshëm, ekspertizë dhe një angazhim të thellë për avancimin e interesave të Kanadasë”, tha Carney.

"Si Kryenegociatore Tregtare, ajo do të përparojë interesat kanadeze dhe një marrëdhënie të forcuar tregtare dhe investimesh, që u sjell dobi punëtorëve dhe industrive si në Kanada ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara."

Sipas deklaratës, Charette ka shërbyer dy herë si sekretare e Këshillit Privat dhe sekretare e Kabinetit. Sekretari i Këshillit Privat është kreu i shërbimit civil në Kanada./ Reuters.