Gjyqi në Hagë/ Prokurori tenton të hedhë poshtë dëshmitë e diplomatëve dhe ushtarakëve që dëshmuan pro Thaçit dhe të tjerëve

Vijon në Hagë seanca e gjashtë e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Në vijim të parashtrimeve, prokurori i ZPS-së, James Pache tentoi t’i minimizojë deklaratat e diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë e britanikë që dëshmuan në Gjykatën Speciale në mbrojtje të Thaçit dhe të tjerëve.

Pache tha se këta dëshmitarë nuk kanë pasur njohuri për aktivitetet e katërshes së UÇK-së e as për qëllimin e tyre.

“Dëshmitarët e mbrojtjes, si për shembull James Rubin, i anashkaluan komunikatat dhe deklaratat publike të UÇK-së si manipulime dhe propagandë.

Të nderuar gjykatës, ajo që del është se provat e kësaj çështje janë të mbushura me dokumente të cilat dëshmitarët e mbrojtjes nuk kanë pasur qasje, apo që mund të kenë pasur qasje por nuk i kanë parë.”- deklaroi prokurori

 

Pacho shtoi se, edhe sikur të kishte kërkesa për çarmatosje, kjo nuk mund ta arrinte pragun e domosdoshëm për paraburgosje.

“Propozimi se grupet e armatosura mund ta ndalojnë çdo civil i cili kërkon opozitë paqësore dhe jo rezistencë të armatosur, është i rrezikshëm dhe kundërligjor dhe deklarata e një anëtari të delegacionit nuk mund ta arsyetojë arrestimin e tërë anëtarëve. Edhe po të kishte arsye legjitime për ndalim fillestar, juridikisht nuk ka pasur arsyetim për keqtrajtimin e të paraburgosurve”, shtoi ai.

Ai tha se anëtarët e delegacionit kanë dhënë dëshmi se janë rrahur dhe keqtrajtuar gjatë ndalimit nga UÇK-ja në Qirez.