Marotta mbron Bastonin dhe sulmon: Me një simulim Juventusi ka fituar 70 milionë

Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, ka folur me tone të forta gjatë një konference për shtypin në kuadër të asamblesë së Lega Serie A, duke u ndalur te polemikat pas ndeshjes me Juventusin dhe te rasti i mbrojtësit Alessandro Bastoni.

Marotta mbrojti lojtarin zikaltër duke theksuar se Alessandro Bastoni është një pasuri e kombëtares italiane dhe se ndaj tij është krijuar një “gjueti mediatike” e padrejtë. Sipas tij, episodi i diskutuar ishte i dënueshëm, por jo i jashtëzakonshëm. Ai komentoi edhe vendimet e arbitrit Federico La Penna, duke pranuar se një vendim ishte i gabuar, por kujtoi se Interi sezonin e kaluar humbi titullin për një pikë për shkak të një penalltie të dhënë gabimisht kundër Romës.

Duke folur për simulimet, Marotta solli si shembull ndeshjen Juventus–Inter të vitit 2021, të gjykuar nga Gianpaolo Calvarese, ku sipas tij pati një simulim të qartë nga Juan Cuadrado. Ai deklaroi se ajo fitore i siguroi Juventusit kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe përfitime financiare prej rreth 60–70 milionë eurosh.

Në fund, Marotta komentoi edhe përplasjen verbale në tunelin e “San Siros” me Giorgio Chiellini-n, aktualisht drejtues tek Juventusi. Ai tha se të dy janë përshëndetur normalisht dhe se situata të tilla janë pjesë e dinamikës së dhomave të zhveshjes.

Asambleja e Lega Serie A u mblodh për të diskutuar edhe çështje të tjera, si blerja e mundshme e ‘Fantacalcio’-s, profesionalizmi i arbitrave dhe përditësimet në protokollin e VAR-it.