Rendi i ri botëror i Trump-it është bërë real dhe Europa po detyrohet të përshtatet shpejt

Nga Katya Adler - BBC/

Në qendër të Mynihut shihen postera që reklamojnë dronë të gjeneratës së re me sloganin "Siguria e Europës në ndërtim". Para disa vitesh, shfaqje të tilla publike ushtarake do të kishin qenë të paimagjinueshme këtu. Por bota përreth Gjermanisë po ndryshon me shpejtësi, dhe po e tërheq edhe këtë vend me vete.

Bavaria është kthyer në qendrën kryesore të teknologjisë së mbrojtjes në Gjermani, me fokus te inteligjenca artificiale, dronët dhe hapësira ajrore. Europianët ndihen gjithnjë e më të ekspozuar, të shtrënguar mes një Rusie ekspansioniste dhe një Kine ekonomikisht agresive në lindje, dhe një SHBA-je gjithnjë e më të paparashikueshme në perëndim.

Sipas një sondazhi të fundit të Eurobarometrit, më shumë se dy të tretat e europianëve (68%) mendojnë se vendi i tyre është nën kërcënim. Këtë vjeshtë, Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen Civile paralajmëroi për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë se lufta nuk është më "e pamundur", duke rekomanduar që gjermanët të mbajnë rezerva ushqimore në shtëpi.

Gjermania është tani donatori kryesor i ndihmës ushtarake për Ukrainën, pasi SHBA-ja ndaloi ndihmën e re direkte. Pyetja për Europën është nëse aleancat tradicionale me SHBA-në në NATO dhe BE mjaftojnë, apo nëse duhet të zgjerojë bashkëpunimin me vende si Australia, Koreja e Jugut dhe Japonia.

Marrëdhënie të pasigurta

Deri në vitin 2029, buxheti i mbrojtjes i Gjermanisë do të kalojë atë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës së bashku, 150 miliardë euro, një shifër që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti "marramendëse". Trump nuk është presidenti i parë amerikan që kërkon nga Europa të bëjë më shumë për sigurinë, por toni i tij është dukshëm më kërcënues.

Konferenca e Sigurisë në Mynih këtë fundjavë u përqendrua kryesisht te marrëdhëniet e tensionuara transatlantike. Fjalimi më i pritur ishte ai i Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, përfaqësues i administratës Trump.

Marrëdhëniet mes Europës dhe SHBA-së nuk kanë qenë kaq të brishta në 80 vjet. Që nga rikthimi i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, ai ka fyer liderët europianë, ka vendosur tarifa mbi eksportet dhe ka kërcënuar sovranitetin e Danimarkës mbi Groenlandën, pa përjashtuar fillimisht as përdorimin e forcës.

Kryeministrja daneze tha se synimet e Trump-it për Groenlandën mbeten "të njëjta", pavarësisht bisedimeve. Edhe pse Trump u tërhoq nga ideja e forcës ushtarake, besimi u dëmtua rëndë.

Fuqitë europiane e shohin Trump-it si një lider që negocion gjithçka, duke përdorur sigurinë si mjet presioni. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha: "U mësuam me mbështetjen amerikane. Ajo kohë ka mbaruar."

Kriza e Groenlandës dhe vendimi i Trump-it për të pezulluar ndarjen e inteligjencës me Ukrainën për ta detyruar drejt bisedimeve të paqes kanë lënë pasoja të thella.

Partneritet me kushte

Rubio përdori tone miqësore: "Ne duam që Europa të jetë e fortë. Dy luftërat e mëdha na kujtojnë se fati ynë është i lidhur me tuajin."

Shumë politikanë europianë e duartrokitën, të lehtësuar që ai nuk përdori tone sulmuese si zv/presidenti JD Vance vitin e shkuar.

Megjithatë, fjalimi i Rubios mbështeti tema tipike të Trump-it: kundërshtim ndaj politikave klimatike, skepticizëm ndaj globalizimit, multilateralizmit dhe migracionit, si dhe thirrje për ndërtimin e një qytetërimi të ri perëndimor me rrënjë të krishtera.

Ai ishte i qartë: SHBA-ja nuk është e interesuar për aleatë që i përmbahen rendit të vjetër. Ajo ofron një rrugë të re partneriteti me Europën, por vetëm nëse ndahen të njëjtat vlera. Oferta ishte me kushte dhe pa kompromis.

"Si një partner abuziv psikologjik," tha një diplomat. "E kujtoi Europën sa e mrekullueshme ishte marrëdhënia dikur, pastaj kaloi në presion."

Një tjetër vuri në dukje se pas Gjermanisë, Rubio zgjodhi të vizitojë Sllovakinë dhe Hungarinë, vende që Brukseli i sheh si problematike për shkak të qëndrimeve euroskeptike dhe kundërshtimit të ndihmës për Ukrainën.

Shpenzimet për mbrojtje dhe ndarjet brenda Europës

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, theksoi brishtësinë e marrëdhënieve: "Disa kufij janë kapërcyer dhe nuk mund të kthehen pas. Europianët kanë përjetuar një terapi shoku."

Por a do ta përdorin disa vende tonin më të butë të Rubios për të shmangur rritjen e shpenzimeve ushtarake? Shumë qeveri janë të mbingarkuara dhe votuesit shqetësohen më shumë për koston e jetesës.

Analistja Rachel Ellehuus sheh ndarje: vendet nordike dhe baltike pranë Rusisë, si dhe Gjermania e Holanda, po rrisin ndjeshëm buxhetet. Spanja refuzon t'i çojë në nivelet që kërkon Trump. Franca dhe Britania janë të angazhuara, por kërkojnë mbështetje politike për të justifikuar taksa më të larta, më pak shpenzime sociale ose më shumë borxh.

"Europianët duhet të kishin nisur punën dje," thotë Ellehuus. "Kanë 5-10 vjet për të qëndruar në këmbët e tyre."

Zëvendëssekretari amerikan Elbridge Colby ishte i drejtpërdrejtë: Europa nuk është më prioritet për SHBA-në; Indo-Paqësori po. Amerika do të reduktojë praninë e saj ushtarake në Europë. Europa duhet të bëhet partnere e barabartë, jo e varur,"NATO 3.0".

Koalicione të reja

Në këtë klimë të paparashikueshme, liderët europianë po kërkojnë gjithnjë e më shumë bashkëpunime fleksibël përtej NATO-s apo BE-së, edhe me vende jashtë Europës.

Britania dhe Franca udhëheqin një "Koalicion vullneti" për të garantuar sovranitetin e Ukrainës në çdo marrëveshje paqeje me Rusinë. Në takime marrin pjesë edhe Turqia, Zelanda e Re dhe Australia.

Kanadaja bashkëpunon gjithnjë e më shumë me vendet nordike dhe baltike për sfida të përbashkëta gjeopolitike, nga Deti Baltik te Groenlanda dhe Arktiku kanadez. Një zyrtar tha me humor se Kanadaja po bëhet "më europiane". Japonia dhe Koreja e Jugut shihen si vende me mendësi të ngjashme.

Këto bashkëpunime shkojnë përtej mbrojtjes. Presidenti francez Macron bën thirrje që Europa të rrisë autonominë strategjike, në siguri, energji, zinxhirë furnizimi dhe teknologji, dhe të ulë varësinë nga fuqitë e jashtme.

Madje, presidentja e Komisionit Europian pranoi se nëse BE lëviz shumë ngadalë për konkurrueshmërinë, "një grup shtetesh anëtare do të duhet të ecë përpara vetëm."

Qasja britanike

Ndryshe nga theksi i Rubios mbi sovranitetin kombëtar, kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh pro integrimit më të madh të mbrojtjes mes Britanisë dhe Europës për të ulur kostot e armatimit, pa braktisur SHBA-në.

Sipas Sophia Gaston nga King's College, Starmer shprehu qartë qasjen strategjike të Britanisë: "Për Britaninë mbetet thelbësore të balancojë marrëdhënien transatlantike, duke bërë zgjedhje të vështira kur është e nevojshme."

Pamja afatgjatë

Bashkëpunimi europian nuk është gjithmonë i lehtë, mjafton të përmendet mosmarrëveshja aktuale franko-gjermane për projektin e avionit luftarak.

Kjo fundjavë tregoi sa e varur mbetet Europa nga siguria amerikane, ombrella bërthamore, inteligjenca, strukturat komanduese, dhe sa prapa është në inovacionin teknologjik.

Megjithatë, përtej përpjekjeve afatshkurtra për t'i "mbijetuar" Trump-it, ndryshimet në Europë, përfshirë afrimin me aleatë jashtë kontinentit, ka gjasa të jenë afatgjata. Bota sot udhëhiqet nga politika e fuqive të mëdha. Edhe Europa, e njohur për lëvizje të ngadalta, po përshtatet. / BBC – Syri.net