Ashpërsohet lufta kundër opozitës së `egër` të gushtit: Zonja Tefta i përvishet Edi Lesit

Ditën e djeshme këshilltari i kreut të opozitës, Edi Lesi, shpërndau në faqen e tij në Facebook një status të inspiruar nga një analizë po e tija, publikuar te e përditshmja “Panorama”, ku jepte komentin e tij për disa aleat të PD-së që po kërkojnë një “opozitë ndryshe”  nga kjo që po bën Basha

“Janë shfaqur ca aleatë që japin receta ç`duhet të bëjë PD, pak të thuhet si zonja Tefta që tregon si gatuhet bifteku dhe ca vlerash kanë zarzavatet në verë. Me shumë ngjajnë me dermatologët që të mësojnë se dielli i mesditës duhet shmangur. Predikime banale pa asnjë të re, pa asnjë ide, ndërkohë, që leksioni i vetëm që mund të jepnin është ti kishin hapur rrugë lidershipit të ri në partitë e tyre, që i mbajnë në xhep, si orët e qëmotit, prej më shume se dy dekadash”, shkruan me ashpërsi Lesi për aleatët e Bashës që nuk do shumë “fantazi” për të kuptuar se kush janë.

Por “çudia që ka ndodhur pas këtij statusi dhe shkrimit te “Panorama” është se ndaj tij nuk ka reaguar as Fatmir Mediu dhe as Dashamir Shehi, të cilët janë artikuluar fortë këto ditë kundër mënyrës se si po bën opozitë Basha, por...”Zonja Tefta”!

Pavarësisht se Edi Lesi e përdor prezantuesen e njohur të gastronomisë shtëpiake, vetëm si një krahasim nga merr spunto për komentin e tij anti kritikëve të kryetarit, “Zonja Tefta”, ka reaguar ashpër kundër tij duke përdorur një fjalor, po gastronomik.

“Ju kërkoj ndjesë miq për këtë status që nuk është i natyrës time, por s'mund të rri pa reaguar ndaj përmendjes së emrit tim!!!!
Më thanë se në faqen e gazetës Panorama, paska pasur një shkrim nga një far Edi Lesi i cili i drejtohet aleatëve të PD-së. 
Nuk e njoh fare këtë këshilltar, por ai bën mirë që argumentet e tij të mos i gjej te byrekët, biftekët mishi e specat, aq më pak tek emri im. Për këtë varfëri mendimi, e këshilloj të lexojë pak më shumë politikë se ka plot shembuj që mund ta ndihmojnë. Por nga një anë më bëhet qejfi që e ndiqka emisionin tim!!!!”, shkruan ajo.

Duket se në këtë moment, edhe “Zonja Tefta”  është më e qartë dhe koherente me aktualitetin politik,  se sa opozita “zyrtare”...

Syri.net