Balliu me presidenten e BSI, Claudia Plattner: Siguria kibernetike në Shqipëri e nënfinancuar dhe e ekspozuar ndaj korrupsionit
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Klevis Balliu, zhvilloi një takim në Mynih me Claudia Plattner, Presidente e Zyrës Federale Gjermane për Sigurinë e Informacionit (BSI), ku në fokus të bisedës ishte gjendja e sigurisë kibernetike në Shqipëri.
Gjatë takimit, Balliu ngriti shqetësimin për situatën e sektorit të sigurisë kibernetike në vend, duke theksuar se strukturat përkatëse mbeten të nënfinancuara dhe, sipas tij, fatkeqësisht të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar.
Sipas Balliut, kjo gjendje përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve, duke nënvizuar nevojën urgjente për reforma të thella dhe mbështetje ndërkombëtare në këtë sektor strategjik.
Në takim u theksua se siguria kibernetike është sot një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare dhe bashkëpunimi me partnerët europianë mbetet thelbësor për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në këtë fushë.
Postimi i plotë:
Ishte kënaqësi të takoja në Mynih Claudia Plattner, Presidente e Zyrës Federale Gjermane për Sigurinë e Informacionit (BSI), me të cilën pata mundësinë të diskutoj mbi sfidat serioze të sigurisë kibernetike në Shqipëri.
Gjatë bisedës theksova se strukturat tona të sigurisë kibernetike mbeten të nënfinancuara dhe, fatkeqësisht, të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar. Kjo situatë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.
Siguria kibernetike sot është një shtyllë thelbësore e sigurisë kombëtare dhe Shqipëria ka nevojë urgjente për mbështetje dhe reforma reale në këtë sektor jetik.