Martini: Titulli është ëndrra 25-vjeçare e Vllaznisë, por të jemi të përulur
Pas fitores dramatike 2-1 ndaj Elbasanit, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, theksoi se skuadra e tij e meritoi suksesin, edhe pse ai erdhi në minutat shtesë.
“Përgëzoj djemtë se sot ishte një ndeshje ku duhej marrë fitorja… Elbasani bëri ndeshje të mirë, na vuri në vështirësi. Pas barazimit, shkuam para, ndoshta duke rrezikuar, por fati ishte me ne në minutat e fundit”, u shpreh Martini, duke vlerësuar karakterin e ekipit të tij.
Tekniku shkodran shpjegoi edhe zgjedhjet taktike: “Isha përgatitur gjithë javën që të luaja me dy sulmues… në pjesën e parë funksionoi shumë mirë. Balaj e Bismark, por edhe gjithë ekipi, bënë mirë”. Ai pranoi se goli i pësuar erdhi nga një gabim: “Ky është futbolli, lojë gabimesh… të dhemb se nuk e mendoja se do të pësonim gol në ato minuta”.
Martini foli hapur për objektivat e sezonit: “Ne e kemi filluar kampionatin me këtë objektiv… titulli është ëndrra e jona, ëndërr 25-vjeçare. Por duhet të jemi të përulur dhe të shohim ndeshje pas ndeshje”. Ai theksoi rëndësinë e liderëve në skuadër dhe rotacionit në sulm, duke nënvizuar rolin e përvojës në menaxhimin e grupit.
Në fund, trajneri ndau emocionet e çasteve vendimtare: “Ato momentet e VAR-it në fund m’u dukën si dy orë… dua ta ndaj fitoren me të gjithë tifozët. Janë të rëndësishme këto pikë. Komplimente djemve, kanë dhënë gjithçka në fushë”, deklaroi Martini pas ndeshjes.