Gvozdenoviç: Jam shumë krenar për skuadrën, objektivi ynë është të kapim Europën
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, foli me tone krenarie pas humbjes 2-1 në frymën e fundit ndaj Vllaznia Shkodër, duke theksuar se paraqitja e skuadrës së tij ishte shumë e mirë pavarësisht rezultatit negativ.
“Jam shumë krenar për skuadrën, luajti shumë mirë, jam mërzitur vetëm me rezultatin. Ne ishim më mirë se Vllaznia, jam shumë krenar për çunat. Me lojë, me rastet për gol dhe me mentalitetin jam shumë i kënaqur. Nëse vazhdojmë kështu, gjithçka do të shkojë në rregull”, deklaroi tekniku serb.
Ai shpjegoi edhe arsyet e zëvendësimeve në repartin ofensiv: “Bëra ndërrime kokë më kokë në sulm. Ishin edhe për arsye lodhjeje, për kartonë, por edhe për ta fituar ndeshjen”.
Duke folur për objektivat sezonalë, Gvozdenoviç ishte i drejtpërdrejtë: “Çdo klub ka objektiva, ne jemi Elbasani, jemi klub i madh. Objektivi është të bëjmë maksimumin dhe të kapim Europën. Deri tani jemi në rregull, por kemi edhe 12 ndeshje dhe kemi shumë punë përpara”.
Trajneri komentoi edhe episodet e ndeshjes: “Vllaznia shënoi dy gola me fat. Në pjesën e parë kishim tri raste për gol. Dialo nuk ishte në 100%, mund të sulmonim më shumë në qoftë se ai do të ishte në formën e tij maksimale”.
Në përfundim, ai shtoi: “Për ndeshjen e radhës kemi kohë për t’u përgatitur mirë dhe do të luftojmë në fushë si gjithmonë”.