Gabimi në derbin e Italisë, VAR-i mund të rishikojë kartonët e dytë të verdhë në Botërorin 2026
Një gabim arbitral në ndeshjen mes Interit dhe Juventusit ka rikthyer diskutimin mbi mundësinë që VAR-i të ndërhyjë në raste të kartonëve të dytë të verdhë, raportoi ‘Gazetta dello Sport’. Vendimi final i International Football Association Board pritet të bëhet i ditur më 28 shkurt, me shpresën që rregulli i ri të përdoret që në FIFA World Cup 2026.
Rasti polemik ndodhi në derbin italian. Në minutën e 42-të të pjesës së parë, arbitri Federico La Penna i dha kartonin e dytë të verdhë Pierre Kalulu të Juventusit për një prekje të dyshuar ndaj Alessandro Bastoni të Interit. Pamjet televizive treguan se kontakti ishte shumë i lehtë dhe lojtari i Interit kishte simuluar një faull.
Edhe pse Kalulu kërkoi ndërhyrjen e VAR-it, vendimi i fushës u mbajt, pasi protokolli aktual nuk lejon rishikimin e kartonëve të dytë të verdhë. Ky gabim, i konsideruar i rëndë, shkaktoi polemika të mëdha dhe vendosi presion mbi IFAB-in, organ që përcakton rregullat e futbollit.
Që në një mbledhje më 20 janar në Londër, IFAB kishte diskutuar mundësinë që VAR-i të ndërhynte në raste të kartonëve të dytë të verdhë. Propozimi parashikon që VAR-i nuk mund të sugjerojë një karton të dytë, por mund të rekomandojë anulimin e tij nëse ka “gabim të qartë dhe të dukshëm” nga arbitri.
Nëse rregulli do të kishte qenë në fuqi gjatë Inter-Juventus, arbitri do të ishte thirrur të shihte momentin në monitor. Rezultati më i mundshëm do të ishte anulimi i kartonit të dytë ndaj Kalulu dhe ndëshkimi i Bastoni për simulim, që do të rezultonte gjithashtu me kartonin e dytë dhe për pasojë përjashtimin e tij.
Vendimi final do të merret në Asamblenë e Përgjithshme të IFAB më 28 shkurt në Uells. Ka një mundësi të lartë që ndryshimi të aprovohet dhe të përdoret për herë të parë në Botërorin 2026 në SHBA. Ndërkohë, arbitri La Penna përballet me mundësinë e një pezullimi të gjatë për shkak të gabimit të tij.