Reshjet e dendura të shiut vonojnë nisjen e pjesës së dytë, Partizani në avatazh të dy golave
Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës ka nisur me shumë emocione, por pjesa e dytë është vonuar për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Terreni i lojës është bërë i vështirë, veçanërisht në zonat e portierëve, ku topi nuk mund të kërcente normalisht, duke krijuar kushtet për një përballje të pasigurt dhe të ngadaltë.
Në pjesën e parë, të kuqtë kanë qenë më konkretë dhe e kanë shpërblyer iniciativën me gola. Në minutën e 12-të, Isgandarli shënoi një gol të bukur, por festa iu prish nga VAR-i për shkak të pozicionit jashtë loje. Megjithatë, Partizani nuk u ndal: Sidibe realizoi golin e parë në minutën e 26-të, duke kaluar me zgjuarsi mbrojtjen bardheblu dhe duke çuar rrjetën në festë të kuqe në stadiumin Air Albania Stadium.
Pak më vonë, Partizani gjeti edhe golin e dytë me Isgandarlin, i cili nuk e pati aspak të vështirë ta shtyjë topin drejt rrjetës, duke vulosur rezultatin 2-0 në pjesën e parë. Tirana mbeti e shokuar, pasi rezultati nuk reflektonte atë që skuadra bardheblu kishte treguar në minutat e para të ndeshjes.