Rikthehet fruthi në Shqipëri/ 15 fëmijë të infektuar, Ministria e Shëndetësisë e mohon, OBSH bën lëvizjen e papritur...
Viti 2026 ka nisur me një sinjal alarmi për shëndetin publik: 15 fëmijë janë infektuar me fruth, ndërsa Shqipëria është hequr nga lista e vendeve pa fruth nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, status që e kishte ruajtur për vite me radhë.
Megjithatë, pavarësisht shifrave dhe shqetësimit në rritje, Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë mohuar shpërthimin e fruthit në një kopsht jopublik në Tiranë, lajm i publikuar dy ditë më parë dhe i konfirmuar nga burime të sigurta.
Sipas këtyre burimeve, në javën e dytë të janarit 2026, në një kopsht jopublik në Tiranë janë identifikuar 5–6 fëmijë të infektuar me fruth. Situata duket se ka qenë mjaft serioze, aq sa vetë stafi i institucionit ka paralajmëruar prindërit që të mos dërgojnë në kopsht fëmijët e pavaksinuar.
Në një komunikim drejtuar prindërve thuhej:
“Të nderuar prindër, kemi marrë informacion se në disa kopshte dhe çerdhe janë evidentuar raste të fruthit. Për arsye parandaluese dhe për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, ju lutemi që fëmijët që ende nuk e kanë kryer vaksinimin përkatës të qëndrojnë në shtëpi si masë parandaluese.”
Ndërkohë, vetë ISHP ka pranuar publikisht ekzistencën e rasteve me fruth. Në një intervistë të realizuar më 31 janar 2026 – pra dy javë pas identifikimit të rasteve në kopsht – u deklarua:
“Duke pasur parasysh që kemi raste pozitive me fruth, normalisht kjo vaksinë duhet të aplikohet në kohë.”
Pyetja që mbetet është: a janë raportuar zyrtarisht këto raste në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pse publiku nuk është informuar në kohë? Apo Ministria pret që ISHP t’i publikojë të dhënat në faqen zyrtare, ku, sipas verifikimeve, përditësimet, përfshirë edhe buletinin e gripit që arriti pikun në fund të janarit, rezultojnë të ndalura që në nëntor 2025?
Drejtoresha e ISHP, Dorina Toci, e kontaktuar nga Top Channel, jo vetëm që nuk e ka mohuar ekzistencën e rasteve, por ka orientuar drejt rrugës zyrtare të komunikimit përmes email-it për një përgjigje të shpejtë - përgjigje që ende mungon.
Ndërkohë që rastet shtohen dhe statusi ndërkombëtar i vendit cenohet, mungesa e transparencës dhe reagimit institucional ngre pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e situatës dhe mbi përgjegjësinë për informimin publik./ TCH