Ftesa që nuk iu bë Ramës në Mynih dhe pyetja që nuk po i bëhet nga larot e pushtetit

Nga Ndriçim Kulla

Në historinë e pushtetit politik ekziston një moment kritik, i padukshëm në fillim, por fatal në zhvillim: çasti kur pushteti nuk përjashtohet më jo vetëm  nga qytetarët, por edhe  nga bota. Kur dera e madhe e tryezave ndërkombëtare mbyllet pa zhurmë, dhe lideri mbetet jashtë jo si zgjedhje, por si refuzim.

Ky moment sigurisht , nuk shpallet me dekret, por ai lexohet në ftesa që nuk vijnë, në samite që zhvillohen pa të, në fotografi ku mungon fytyra e zakonshme e vetë-promovimit.
Pikërisht këtu lind akrobacia politike: arti për ta shndërruar mungesën në zgjedhje, refuzimin në dinjitet, izolimin në përshkrime heroike.

Faik Konica me sarkazmën e tij të mprehtë i quante “laro të penës” ata gazetarë dhe punëtorë të mendjes që nuk i shërbejnë së vërtetës, por pushtetit. Ky përkufizim, i lindur në një epokë tjetër, sot është bërë më aktual se kurrë. Sepse laronjtë modernë nuk janë më thjesht propagandistë; ata janë menaxherë të mungesës, arkitektë të justifikimeve, rregullues të realitetit të deformuar.

Detyra e tyre nuk është të pyesin, por të shmangin pyetjen kryesore:

Pse lideri nuk është i ftuar?

Pse nuk ishte i pranishëm në Konferencën e Sigurisë në Mynih?

Pse nuk u ul në tryezën ku diskutohet rendi i ri global?

Pyetja nuk shtrohet, sepse përgjigjja do të rrëzonte gjithë teatrin.

Konferenca e Sigurisë së Mynihut është një nga skenat më serioze të politikës globale. Aty nuk ftohesh për retorikë, por për besueshmëri. Dhe mungesa aty nuk shpjegohet me justifikime personale.

Prandaj pyetja është therëse:

Pse nuk ishte i ftuar?

Jo pse nuk shkoi.

Por pse nuk u konsiderua.

Kjo pyetje nuk shtrohet nga shërbëtorët e propagandës, sepse ajo e zhvesh pushtetin nga gloria e tij globale dhe e kthen në atë që është: një pushtetar  provincial, i izoluar, që flet për botën ndërsa bota ka pushuar së dëgjuari.

Kur një lider mungon në Forumi Ekonomik Botëror, ai ka vetëm dy rrugë: heshtjen ose spektaklin. Heshtja do të ishte pranim i refuzimit ndërsa spektakli është mënyra për ta fshehur atë.

Kështu, refuzimi dramatik nga Davosi u mbulua me akrobaci justifikimesh: foto anësore, takime të paqarta, praninë aksidentale pranë figurave të njohura. Madje, deri në përuljen simbolike për të krijuar një moment artificial me Ivanka Trump , jo si akt diplomatik, por si rekuzitë për konsum të brendshëm.

Këtu politika zbret nga niveli i shtetit në nivelin e albumit familjar. Nga institucion, në selfie. Nga parim, në pozë.
Një nga gënjeshtrat më të vjetra të Edi Ramës  është kjo: refuzimi i maskuar si zgjedhje morale.

“Unë nuk shkova, sepse zgjodha diçka më të lartë.”

Kjo nuk është më politikë, por psikodramë. Një dialog i Liderit  Global me veten, i shfaqur në parlament, në monologë të çjerrë, ku realiteti zëvendësohet me interpretim.
Në këtë fazë, ligjet dhe parimet e profesionit politik shpallen të vjetruara. Ato zëvendësohen nga një “kulturë” e re: kultura e lidhjeve personale, e miqësive të stisura, e allishverisheve korruptive që paraqiten si diplomaci alternative.

Konferenca e Sigurisë së Mynihut nuk është një event periferik. Ajo është një nga platformat më serioze të sigurisë globale, ku ftohen aktorë që kanë besueshmëri, peshë dhe kredibilitet.
Pikërisht këtu lind pyetja politike thelbësore:

Pse nuk ishte i ftuar?

Jo pse nuk shkoi.

Por pse nuk u ftua.

Kjo është pyetja që laronjtë e penës refuzojnë ta bëjnë, sepse ajo shkatërron profilin e liderit global që kanë krijuar dhe po mbrojnë .. Sepse ajo nxjerr në pah të vërtetën e hidhur: izolimin gradual, mosbesimin, lodhjen e botës nga një figurë që flet shumë, por nuk dëgjohet më.

Kur mungesa bëhet e dukshme, pushteti nis të vrapojë.
Udhëtime të paqarta, destinacione të paemërtuara, takime pa axhendë. Dialogë virtualë me veten, ku lideri shfaqet si protagonist, spektator dhe komentator njëkohësisht.

Kur izolimi bëhet i dukshëm, pushteti nis të lëvizë pa drejtim. Udhëtime pa përmbajtje, takime pa peshë, deklarata pa adresë. Çdo lëvizje është një përpjekje për të kompensuar mungesën thelbësore: mungesën e pranimit ndërkombëtar.

Kjo është politika e arratisjes përpara. Jo për të hapur horizonte, por për të shmangur pasqyrën. Një realitet virtual ku lideri ndërton dialogë imagjinarë, ku bota ende i flet, ende e kërkon, ende e respekton por vetëm në delirin e tij 

Kjo nuk është më diplomaci.

Është koreografi e panikut.

Çdo udhëtim i ri nuk është hapje, por kompensim. Çdo fjalim nuk është vizion, por zhurmë për të mbuluar heshtjen e botës.

Në fund, lideri që pretendon globalitetin mbetet një figurë alegorike e pushtetit të korruptuar: një njeri që flet për botën, ndërsa bota ka pushuar së foluri me të.

Dhe pikërisht këtu historia bëhet ironike:
ai që dikur kërkonte vëmendjen e botës, sot ka vetëm vëmendjen e laronjve të tij.

Ai që pretendonte të ishte pjesë e së ardhmes, sot përpiqet të justifikojë mungesën në të tashmen.

Dhe kjo është tragjedia moderne e pushtetit të izoluar:
jo rrëzimi me dhunë, por zbrazja me heshtje.