Rruga drejt Rezervuarit të Shtodrit në gjendje skandaloze, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Rruga që të çon drejt Rezervuarit të Shtodrit, në fshatin Myselim të Bashkisë Shkodër, paraqitet në gjendje skandaloze, duke u kthyer në një problem serioz për banorët dhe vizitorët e zonës.
Banorët shprehen të shqetësuar, pasi bëhet fjalë për një zonë me potencial turistik, e cila frekuentohet sidomos gjatë sezonit veror. Sipas tyre, amortizimi i rrugës po vështirëson lëvizjen dhe po dëmton imazhin e zonës.
Ata theksojnë se ndihen të diskriminuar dhe kërkojnë ndërhyrjen e pushtetit lokal, duke nënvizuar se paguajnë rregullisht të gjitha taksat vendore, por në këmbim nuk marrin shërbimet bazë që u takojnë.
Ndërkohë, problemet nuk mbarojnë me infrastrukturën rrugore. Zona përballet edhe me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, çka e bën edhe më të vështirë jetesën për banorët dhe aktivitetin për bizneset e vogla.
Një tjetër shqetësim mbeten mbeturinat, të cilat hidhen në mungesë të koshave apo kontenierëve të posaçëm. Prania e tyre jo vetëm dëmton mjedisin, por ndikon negativisht edhe në imazhin turistik të Rezervuarit të Shtodrit.
Banorët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për përmirësimin e rrugës, garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike dhe vendosjen e kontenierëve për mbetjet, në mënyrë që zona të marrë vëmendjen që meriton.