Lagja pranë Parkut të Viroit në Gjirokastë mbetet e zhytur në baltë, banorët jetojnë në kushte të rënda
Një nga lagjet ngjitur me Parkun Natyror të Viroit, një nga zonat më të frekuentuara të qytetit të Gjirokastrës, vazhdon të përballet me probleme serioze infrastrukturore.
Rruga të pakalueshme, mungesa e kanalizimeve dhe infrastruktura minimale e bëjnë jetesën çdo ditë e më të vështirë për banorët e kësaj zone.
Rreth 40 familje, shumica me prejardhje nga zonat rurale, jetojnë në kushte të papërshtatshme dhe përballen me vështirësi të shumta, sidomos gjatë periudhave me reshje.
Sipas banorëve, ata kanë ngritur shqetësimet e tyre për më shumë se 20 vjet, por pavarësisht ankesave të vazhdueshme, asnjë institucion nuk ka ndërhyrë për rehabilitimin e lagjes.
Banorët shprehin se zona është lënë në harrese totale, edhe pse ndodhet afër një parku natyror dhe një hapësire që promovon turizmin në qytet.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të shmangur rreziqet e përditshme.