Interi mposht mes drithërimash Juventusin në derbin e Italisë
Pesë gola dhe shumë polemika, Interi ia doli mes drithërimash të mposhte Juventusin, në “derbin e Italisë” që u mbyll me shifrat 3-2.
Një përballje tepër emocionuese që i pati të gjitha. Autogoli i Kambiasos në minutën e 17-të, i dhuroi avantazhin skuadrës së Kristian Kivu.
Në minutën e 26-të, ishte sërish Kambiaso që rrëmbeu skenën duke shënuar golin e barazimit për bardhezinjtë.
Në minutën e 42-të, Juventusi mbeti me 10 lojtarë, pas kartonit të dytë të verdhë të Kalulut, që krijoi shumë polemika si brenda edhe jashtë fushës.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-1.
Në pjesën e dytë ishte Pio Espozito, i cili në minutën e 76-të, shënoi për 2-1, por Juventusi nuk u dorëzua, duke gjetur baraspeshën me Lokatelin në minutën e 83-të.
Për golin që do të vendoste këtë derbi të Italisë, mendoi polaku Zielinski në minutën e 90-të, duke i dhuruar 3 pikë të arta Interit, që e çon në +8 diferencën ndaj Milanit, që ka një ndeshje më pak.
Duelin e radhës Interi e luan në transfertë ndaj Leçes, ndërsa Juventusi pret Komon.