Bundesliga/ Bayerni dominon Werder Bremen dhe ‘marshon’ drejt titullit me +6 pikë nga Dortmundi
Bayern Munich ka dhënë një tjetër sinjal të fortë në garën për titull në Bundesliga, duke mposhtur bindshëm Werder Bremen me shifrat 0-3 në transfertë.
“Bavarezët” dominuan nga minuta e parë, ndërsa protagonisti kryesor ishte sërish Harry Kane.
Sulmuesi anglez zhbllokoi sfidën nga pika e bardhë në minutën e 22-të, përpara se të godiste sërish vetëm tre minuta më vonë, kësaj here pas asistimit të Luis Díaz.
Në pjesën e dytë, epërsinë e thelloi Leon Goretzka me një finalizim të bukur në minutën e 70-të, pas një pasimi nga Alphonso Davies, duke vulosur një fitore pa histori për kampionët në fuqi.
Me këtë triumf, Bayern ngjitet në kuotën e 57 pikëve dhe shkëputet me gjashtë pikë nga Borussia Dortmund, duke forcuar pozitat në krye të renditjes.
Nga ana tjetër, Werder Bremen mbetet në vendin e 16-të me vetëm 19 pikë, në zonën e rrezikut.
Bayern duket i pandalshëm – dhe me një Kane në këtë formë, titulli po merr gjithnjë e më shumë ngjyrë bavareze.