SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, pritet nga Kuvendi nisja e procedurave për shqyrtimin e imunitetit
Zhvillime të forta politike priten javën e ardhshme, pasi Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, ndërsa Kuvendi pritet të nisë procedurat për shqyrtimin e imunitetit të saj.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, do të publikojë të hënën urdhrin për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Në këtë urdhër do të përcaktohet data dhe ora e mbledhjes, ku pritet të diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit.
Anëtarët e Këshillit mblidhen vetëm një javë pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së GJKKO, e cila kishte shkarkuar nga funksionet publike zv/kryeministren Belinda Balluku.
Tashmë “topi” kalon në fushën e Kuvendit.
Këshilli i Mandateve, i drejtuar nga Peleshi, do të vendosë nëse do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, një hap procedural që mund t’i hapë rrugë zhvillimeve të reja ligjore dhe politike.
Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për fatin politik dhe juridik të Ballukut, në një çështje që ka ndezur debat të fortë në skenën politike.