Përmbytjet e nëntorit lënë pas dëme të mëdha në Pogradec, infrastruktura pranë lumit të Vërdovës ende pa rikuperuar
Reshjet intensive të nëntorit të vitit të kaluar shkaktuan përmbytje të konsiderueshme në Pogradec, duke dëmtuar rëndë infrastrukturën lokale. Situata më kritike u regjistrua përgjatë lumit të Vërdovës, ku prurjet e larta të ujit shkatërruan mure mbajtëse dhe disa ura të përdorura nga banorët për lëvizjen e përditshme.
Përveç zonave përreth lumit, uji preku edhe një pjesë të rrugës unazore të qytetit, duke vështirësuar qarkullimin dhe rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët. Disa segmente të dëmtuara dhe ura mbi lumë vazhdojnë të jenë të parindërtuara, duke shqetësuar banorët.
Banorët theksojnë se kjo nuk është hera e parë që lumi del nga shtrati dhe kërkojnë ndërhyrje afatgjata për sistemimin e argjinaturës dhe përforcimin e strukturave mbrojtëse, për të parandaluar përsëritjen e situatës gjatë reshjeve intensive.
Bashkia ka premtuar ndërhyrje me fonde emergjence që deri më tani nuk janë dhënë, ndërkohë që banorët duhet të presin deri në zgjidhje të qëndrueshme.